Rajon
Kosovë, numërimi i votave drejt përfundimit, Kurti synon formimin e shpejtë të Qeverisë
05.01.2026 15:18
Derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se deri më tani janë numëruar më shumë se 73 për qind e fletëvotimeve...

Derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se deri më tani janë numëruar më shumë se 73 për qind e fletëvotimeve, pas përfundimit të numërimit të votave me postë, pritet të fillojë edhe numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me aftësi të kufizuara. Ndërkohë, pritshmëritë janë se certifikimi i rezultateve pritet të bëhet deri më 19 janar. Por, për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, këtë shumicë parlamentare e presin shumë çështje të rëndësishme. Në një intervistë për Kosova Press ai tha se është i interesuar që menjëherë të fillojë procedurën për formimin e Qeverisë.
“Si të certifikohen rezultatet nga KQZ-ja, ne jemi të interesuar që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i legjislaturës së dhjetë dhe të formohet Qeveria e Republikës, ku vendimi më i rëndësishëm qysh në fillim është buxheti për vitin 2026.”, - deklaroi kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Kurti po ashtu pret që për çështjet e rëndësishme të marrë edhe mbështetjen e subjekteve tjera politike, siç është Buxheti për vitin 2026, bashkëpunimi për fondet dhe kreditë e jashtme, por edhe për çështjen e presidentes, por bashkëpunimin për formimin e Qeverisë, do ta vazhdojë me subjektet politike, të cilat i ka pasur në Qeveri.
“Ne jemi të interesuar që pikë së pari të bashkëpunojmë me këto që kemi bashkëpunuar, pra me partitë të komunitetit jo-shumicë, jo serbe, duke e përfshirë edhe subjektin e Nenad Rashiqit “SPO”. Pra, kjo do të jetë së pari, e mandej për të tjera të shohim.”, - theksoi kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Por, kryeministri i Kosovës krejt në fund nuk e përjashtoi mundësinë që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje të reja, nëse nuk arrin marrëveshje me partitë tjera për zgjedhjen e presidentit, e afati për zgjedhjen e presidentit është data më 4 mars.
“Se natyrisht ekziston mundësia jo vetëm retorike, por edhe praktike, që ne përsëri të shkojmë në zgjedhje, nëse ne nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten, por në një situatë të tillë, do të duhet të jemi të gatshëm duke e pasur buxhetin e votuar.”, - u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, gjatë kësaj jave do të vazhdojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, si dhe i fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta.
FITIM KRYEZIU
