Maqedoni

Fërkimet diplomatike Shkup - Sofje, MPJ: Nga fqinji lindor presim sjellje evropiane

05.01.2026 15:27

MPJ i është përgjigjur Sofjes bullgare lidhur me reagimin zyrtar të një dite më parë rreth planit aksionar për mbrojtjen e pakicave....

Ministria e Punëve të Jashtme i është përgjigjur Sofjes bullgare lidhur me reagimin zyrtar të një dite më parë rreth planit aksionar për mbrojtjen e pakicave. Sipas këtij resori, Procesi i përpunimit të propozim-planit aksionar për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të bashkësive është zhvilluar në disa faza, duke filluar nga viti 2023, ndërkaq pjesa finale është punuar intensivisht në gjashtë muajt e fundit të vitit 2025. Sqarohen se gjatë përgatitjes së planit janë përfshirë konsultime të rregullta me ekspertët e brendshëm dhe të jashtëm nga fusha ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave.
 
“Shqetëson fakti se në vend që të përshëndetet si hap parakonstruktiv, dokumenti është lëndë për komente abstrakte dhe të pabaza nga ana e Bullgarisë, që nuk kontribuon në ndërtimin e besimit dhe besimin e mirë mes dy shteteve. Në vend të komenteve të paargumentuara, nga fqinji ynë kërkojmë sjellje evropiane, mes tjerave edhe në raport të respektimit të plotë dhe njohje të gjuhës maqedonase.”.
 
Një ditë më parë, Sofja ka reaguar për, siç thonë, devijimin e Shkupit nga thelbi i konkluzave të vitit 2022.
 
“Republika e Bullgarisë vëren me shqetësim tezat e fundit të autoriteteve në Shkup, të cilat devijojnë ndjeshëm nga thelbi i Konsensusit Evropian të vitit 2022. Çështja se në çfarë gjuhe duhet të jetë Plani për të Drejtat e Komuniteteve që pritet nga Republika e Maqedonisë së Veriut, është një çështje e brendshme e vendit fqinj dhe nuk është temë e marrëdhënieve dypalëshe. Dokumenti do të zbatohet nga institucionet e saj ndaj qytetarëve të vet dhe është logjike që ai të jetë në një gjuhë të kuptueshme për ta.”. 
 
Nga Sofja kanë përkujtuar se Plani për të Drejtat e Komuniteteve është një hap që synon të ndjekë hyrjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU