Maqedoni
Shabani: Do ta menaxhoj komunën me sukses nga opozita
05.01.2026 15:59
Shabani thotë se me gjithë se pjesën më të madhe të dy mandateve të kaluara ia ka dalë që me sukses ta menaxhoj komunën...

Kandidati për kryetar të Komunës së Vrapçishtit nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Isen Shabani, thotë se me gjithë se pjesën më të madhe të dy mandateve të kaluara, apo 7 nga 8 vitet e kaluara i ka kaluar në opozitë, ia ka dalë që me sukses ta menaxhoj komunën. Në këtë kontekst ai beson se edhe në katër vitet e ardhshme do t’ia arrijë që me sukses t’i realizojë projektet e premtuara edhe nga opozita.
“Nga opozita e kam menaxhuar komunën me sukses dhe nuk do të ketë asnjë problem edhe në katër vitet e ardhshme. Rezultatet e deritanishme do t’i rrisim. Unë do të vazhdoj ta menaxhojë komunën. Do të ndjek të gjitha thirrjet si nga Qeveria ashtu edhe nga ministritë, nga IPA programi, apo IPARD Fondet. Ekipin e kam të konsoliduar dhe bashkë me ekipin i ndjekim të gjitha programet. Pushteti qendror nuk do të mund të na bëjë pengesë.”, premton Shabani.
Sipas tij, pas 11 janarit do të vazhdojë realizimi i projekteve të cilat janë në realizim e sipër, por edhe projektet e reja në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, kanalizimit dhe ujësjellësit.
GYLTENE SINANI
