Maqedoni

Kriza politike nuk prek investimet e huaja, por ngjall shqetësime

01.06.2015 15:53

Kriza politike nuk po preokupon investuesit e huaj. Nga Këshilli i Investitorëve të Huaj thonë se ka shqetësime...

Kriza politike nuk po preokupon investuesit e huaj. Nga Këshilli i Investitorëve të Huaj thonë se ka shqetësime, por gjithsesi deri tani kriza nuk i ka prekur investimet e tyre në Maqedoni.
 
“Mund të them se tek kompanitë e huaja që veç më kanë investuar, kriza aktuale politike nuk do të ndikojë, gjegjësisht të gjitha proceset e prodhimit, profiti dhe shitja e produkteve nuk është e prekur nga kjo krizë politike. Por, kuptohet situata politike ngre shqetësime tek investitorët e ardhshëm”- deklaroi Huan Pedro Himenez Navaro nga Këshilli i Investitorëve të Huaj. 
 
Investuesit e huaj thonë se në Maqedoni mungon kualifikimi i punëtorëve të ardhshëm dhe studentët nëpër fakultete mësojnë teorinë, por shumë pak janë të gatshëm më pas të kyçen menjëherë në procesin e punës.
 
Nga Këshilli i Investitorëve të Huaj kërkojnë më shumë bashkëpunim me fakultetet në këtë drejtim. Sot për këtë qëllim u nënshkrua edhe një memorandum-bashkëpunimi me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Shkup.
 
“Ky bashkëpunim po rritet edhe më shumë me nënshkrimin e këtij memorandumi, për shkak se hapen mundësitë për realizimin e projekteve të shumta, të cilat do të jenë të tipit aplikativ apo të tipit hulumtues”- tha dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Atanas Koçov.
 
Kjo mënyrë e re bashkëpunimi e firmave me fakultetet e veçanta pritet të hapë dyert për studentët që do të punojnë në kuadër të kompanive të ndryshme dhe do t’u mësojë atyre paraprakisht të përballen me problemet reale gjatë procesit të punës.
 
ERSAN PAJAZITI