Maqedoni
Politikë, VMRO dhe LSDM me akuza për ndikimet serbe
06.01.2026 14:44
LSDM me akuza të drejtpërdrejta në adresë të kryeministrit Mickoski se ai nuk është autentik në politikëbërjen e tij...

LSDM me akuza të drejtpërdrejta në adresë të kryeministrit Mickoski se ai nuk është autentik në politikëbërjen e tij, por vetëm një marionetë e Beogradit. LSDM qasjen e tillë ndaj pushtetit e mbështet edhe në raportet mediatike ndërkombëtare dhe zhvillimeve pas arrestimit të presidentit të Venezuelës, Maduro, ku Mickoski mbështet, por edhe nuk mbështet aksionin amerikan. Veprimi i tillë, sipas LSDM-së, konfirmon varësinë serbe, pasi Vuçiqi kritikoi arrestimin e Maduros, pas dyshimeve se mund të jetë i sanksionuari i radhës nga amerikanët për përfshirje në korrupsion.
“Siç duket lista është e gjatë. Maqedoninë dhe Malin e Zi i pret emërimi i ambasadorëve të rinj, por pritet dhe një qasje e politikës së re amerikane kundër krimit dhe korrupsionit me sanksione ndaj liderëve të korruptuar. Zyrtarë amerikanë paralajmërojnë zgjerimin e “listës së zezë” për politikanë dhe biznesmenë të përfshirë në krim të organizuar. Kjo është pjesë e ligjit për demokratizimin e Ballkanit Perëndimor, që kritikon korrupsionin në Serbi dhe rajon.”, njoftojnë nga LSDM.
Nga VMRO – DPMNE distancohen nga politikat e Serbisë, duke shtuar se interesi i vetëm është mirëqenia e qytetarëve të vendit. Ata ndikimin serb ia veshin LSDM-së.
“Por, obsesioni i Venkos me Serbinë, me njoftime për shtyp të përkthyera dobët nga serbishtja, po e shndërron atë në një Sheshel të vogël. Kur lakmia e Zaevit bashkohet me servilizmin e Filipçes, rezultati është një simbiozë midis tyre. Dhe, kjo simbiozë e re politike e ka bërë LSD-në tryezë e shërbimeve për të gjitha fuqitë, të cilat duan të shërbehen me partinë për interesa personale.”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE nuk i kanë kursyer akuzat ndaj kryesocialdemokratit Filipçe, se gëzon benefite financiare jashtë vendit, sikurse në Dubai, Bullgari dhe mentor politik në Serbi, e që sipas tyre, nuk mund të jetë model i ardhmërisë së vendit.
MERAL ISMAILI
