Kosova vlerësohet lart për reforma në drejtësi
Republika e Kosovës është vlerësuar lart...

Republika e Kosovës është vlerësuar lart për reformat të cilat janë bërë dhe po bëhen në sistemin e drejtësisë, por edhe në krijimin e klimës për thithjen e investimeve të huaja.
Investimet e huaja direkte në Kosovë arrijnë nivel rekord në vitin 2024 në vlerën e 856.3 milionë euro, duke arritur një nivel historik të investimeve, thonë mediat kosovare.
Kjo shifër përfaqëson një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitet e kaluara, duke dëshmuar besimin e investitorëve të huaj në potencialin ekonomik të vendit.
E sipas Kushtrim Kaloshit nga Organizata ATRC, kjo është falë progresit dhe punës që është bërë në sistemin e sigurisë.
“Sistemi i Drejtësisë në përgjithësi ka pasur progrese të vazhdueshme dhe të përhershme, por kohëve të fundit ky progres dhe ky avancim është parë ndoshta edhe më shumë dhe po reflektohet në raporte të Organizatave të Shoqërisë Civile brenda dhe jashtë vendit. Ky është një progres i jashtëzakonshëm, falë punës që është bërë nga Institucionet e Sigurisë. Në aspektin e jashtëm ka një refleksion shumë pozitiv dhe investitorët e huaj e kërkojnë këtë, pra sigurinë e investimit.”, - deklaroi drejtori i Organizatës ATRC, Kushtrim Kaloshi.
Nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës kanë theksuar se sundimi i ligjit në Kosovë ka qenë dhe mbetet në top-prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
“Sundimi i ligjit në Kosovë ka qenë dhe mbetet në top-prioritetet e Qeverisë së Kosovës, dhe si rezultat, sot Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë, sa i përket sundimit të ligjit dhe sigurisë në vend, këtë e dëshmojnë edhe Organizatat Ndërkombëtare, siç ka qenë edhe raporti i indeksit të Institucionit “Gallup” për Republikën e Kosovës. Kjo do të thotë se jemi në rrugë të mbarë dhe po punohet mirë.”, - theksoi këshilltari politik në Ministrinë e Drejtësisë, Flamur Pireva.
E për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, investitori i huaj kërkon që t’i dëshmohet se ka një sistem të sundimit të ligjit të pavarur dhe kualitativ, por edhe efektiv.
“Qëllimi është që çdo kontekst të zgjidhet në një afat shumë të shkurtër. Po ashtu, ne, si Odë Ekonomike së bashku me Odat e Ballkanit Perëndimor, jemi duke punuar që ta rrisim arbitrazhin që kemi brenda Odës sonë Ekonomike.”, - u shpreh kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna.
Sipas Raportit të “Gallup”, Kosova është vlerësuar me 94 pikë nga gjithsej 100 në Indeksin për Ligj dhe Rend. Kur jemi tek Investimet në Kosovë, tregon se Gjermania dhe Zvicra janë dy shtetet që kanë sjellë pjesën më të madhe të investimeve në Kosovë, me 23% dhe 22% të totalit, përkatësisht 198.6 milionë euro nga Gjermania dhe 184.2 milionë euro nga Zvicra. (Fitim Kryeziu, TVM2)
