Maqedoni

Kocijançiç: Han nesër do të kërkojë zgjidhje të shpejtë të krizës

01.06.2015 16:33

Eurokomisari, Johanes Han, gjatë vizitës së nesërme në Maqedoni...

Eurokomisari, Johanes Han, gjatë vizitës së nesërme në Maqedoni, liderëve të partive më të mëdha do t’u kërkojë që sa më shpejtë të gjendet një zgjidhje për krizën politike, si dhe nevojën që bashkërisht të përballen me sfidat kryesore me të cilat përballet vendi.

Kështu ka deklaruar zëdhënësja e tij, Maja Kocijançiç, sipas së cilës komisionari do të theksojë urgjencën e tejkalimit të krizës aktuale dhe në këtë kontekst duhet parë udhëtimin e tij.

“Komisari do t'ua theksojë partive urgjencën për t'u gjetur zgjidhje për tejkalimin e krizës së tanishme sa më shpejtë të jetë e mundur dhe me përkushtim të ndërsjellë të ballafaqohen me sfidat kyçe me të cilat po përballet vendi”- deklaroi zëdhënësja e komisarit Han, Maja Kocijançiç.

Kocijançiç nuk ka dashur të komentojë nëse komisari Han në takim me katër liderët politik do vendos në tavolinë ofertë konkrete për zgjidhje të mundshme të krizës politike në Maqedoni.

"Nuk do të komentoj dhe nuk mendoj se kjo do të jetë në dobi të gjendjes. Atë që do ta bëjë komisari është potencimi i nevojës dhe urgjencës për gjetje të zgjidhjes për tejkalimin e krizës së tanishme dhe në atë kontekst duhet të shihni edhe ndaj vizitës së tij"- tha zëdhënësja e komisarit Han, Maja Kocijançiç.

Mirëpo burime anonime nga Brukseli nuk e përjashtojnë mundësinë që komisionari Han kësaj radhe të prezantojë ndokund ofertë e cila do të rezultojë me përfundimin e krizës politike. Ndërsa prej sot, me ndërmjetësim të zyrës së Bashkimit Evropian në Shkup, në Drejtorinë për Zgjerim të Eurokomisionit është filluar me grumbullimin e materialeve për shkruarjen e raportit të progresit për Maqedoninë, që KE¬-ja do ta shpallë nga mesi i muajit tetor të këtij viti. (Sanije Kasami, TVM2)