Maqedoni
Ortodoksët në RMV i festojnë Krishtlindjet
07.01.2026 11:53
Besimtarët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut sot i festojnë Krishlindjet...

Besimtarët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut sot i festojnë Krishlindjet, kjo festë është gjenezë e të gjitha festave kishtare, për shkak se me lindjen e Krishtit llogaritet edhe fillimi i erës së re. Në tempujt kishtarë të Kishës Ortodokse mbahen liturgji për Krishtlindjet. Për këtë festë kanë uruar krerët e shtetit.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova tha se edhe këtë vit, festat e Krishtlindjes do ta forcojnë besimin dhe shpresën tonë dhe do të na kujtojnë nevojën thelbësore të njeriut për të bërë vepra të mira.
“Të gëzohemi me jetën dhe të kontribuojmë për të mirën e komunitetit. T’i hapim gjerësisht zemrat tona për të gjithë të afërmit, që, të bashkuar në solidaritet, ta krijojmë dhe ta ndërtojmë mirëqenien e shoqërisë maqedonase”, tha Siljanovska Davkova.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi tha se kjo ditë përbën një mundësi për të theksuar rëndësinë e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës dhe harmonisë shoqërore, si vlera themelore mbi të cilat ndërtohet stabiliteti institucional dhe demokratik i shtetit.
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se në kohë ndryshimesh të shpejta dhe shumë sfidash, kjo festë na fton të ndalemi, të reflektojmë dhe t’u rikthehemi vlerave që na kanë mbajtur gjallë: solidaritetit, kujdesit të ndërsjellë dhe përgjegjësisë ndaj të afërmit.
7 janari është ditë jo pune për të gjithë qytetarët në Maqedoninë e Veriut.
