Maqedoni

Marrëdhëniet Shkup – Sofje, reagon Mickoski ndaj injorimit të maqedonishtes

07.01.2026 15:50

Mickoski ka deklaruar se kërkesat ndaj Maqedonisë së Veriut shkojnë përtej përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë..

Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se reagimi i Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, në të cilin nuk përmendet gjuha maqedonase, dëshmon se kërkesat ndaj Maqedonisë së Veriut shkojnë përtej përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë dhe synojnë, sipas tij, ridefinimin e identitetit maqedonas. Ai theksoi se kjo ka qenë një tezë e Qeverisë që nga fillimi dhe se zhvillimet e fundit vetëm e forcojnë këtë qëndrim.
 
“Mua kjo nuk më habit, nuk e di nëse për dikën në shtet është habi. Vetëm se i vërtetojnë tezat që i kishim prej momentit të parë se nuk është kërkesa e vetme bullgarët në kushtetutë por ridefinimi i tërësishëm i identitetit maqedonas… Për disa çështje duhet të jemi të bashkuar. Më vjen keq që qeveria paraprake në njëfarë mënyre hyri në aventurë dhe e bllokoi procesin eurointegrues. Më vjen keq që pranoi kapitullimin, respektivisht ultimatumin e atëhershëm nga ana e fqiut tonë lindor. Në vend se të na dëgjonte atëherë, ja, sërish apeloj deri tek opozita se dora është e shtrirë që t’i lëshojnë tezat e tyre që i dëgjojmë në opinion dhe të rreshtohen përfundimisht në mbrojtjen e interesave nacionale maqedonase.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU