Botë

Arrihet marrëveshje Karakas – Uashington, Venezuela do të eksportojë naftë në SHBA

07.01.2026 17:07

Venezuela do të eksportojë naftë të papërpunuar në vlerë deri në 2 miliardë dollarë në SHBA...

Venezuela do të eksportojë naftë të papërpunuar në vlerë deri në 2 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, pasi Karakasi dhe Uashingtoni arritën marrëveshje për këtë, njoftoi presidenti amerikan, Donald Trump.
 
Kjo marrëveshje është shenjë e fuqishme se Qeveria e Venezuelës po i përgjigjet kërkesës së Trumpit për t’i hapur dyert për kompanitë amerikane të naftës, nëse nuk dëshiron të përballet me rrezikun e një ndërhyrjeje të mëtejshme ushtarake. Trump ka thënë se dëshiron që presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, t’i japë SHBA-së dhe kompanive private “qasje të plotë” në industrinë e naftës së Venezuelës. 
 
Venezuela ka miliona fuçi nafte të cilat nuk ka qenë në gjendje t’i eksportojë për shkak të bllokadës së eksporteve të vendosur nga Trumpi qysh nga mesi i dhjetorit. Bllokada ishte pjesë e rritjes së trysnisë amerikane ndaj Qeverisë së presidentit venezuelas Nicolas Maduro, që çoi në rrëzimin e tij nga pushteti, pasi u kap javën e kaluar forcat amerikane. 
 
Zyrtarë të lartë venezuelas e kanë quajtur kapjen e Maduros “rrëmbim” dhe e kanë akuzuar SHBA-në se po përpiqet t’i “vjedhë” rezervat e mëdha të naftës së vendit.