Botë

ShBA-ja u tërhoq nga 66 organizata ndërkombëtare

08.01.2026 10:19

Trump ka urdhëruar ShBA-të të tërhiqen nga 66 organizata ndërkombëtare...

Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka nënshkruar vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga 66 organizata ndërkombëtare, që administrata i konsideroi si “joefektive dhe të dëmshme.

 
Në mesin e tyre janë Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunale Penale (pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), UN Women, e Këshilli për Bashkëpunim Rajonal. Në këtë të fundit, Kosova bën pjesë, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe kjo organizatë synon forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore dhe synon afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian. Në Komisionin e Venecias, që është trup këshillues për çështje kushtetuese dhe jep rekomandime për parlamentet dhe qeveritë, ShBA-ja ishte vëzhguese e jo anëtare.
 
Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, tha se këto organizata janë “antiamerikane ose të padobishme”. Sekretari Rubio shtoi se me këtë tërheqje po materializohet premtimi kyç i presidentit Tramp se do të “ndalojë subvencionimin e burokratëve globalistë që veprojnë kundër interesave tona.
 
Administrata Tramp do ta vendosë gjithmonë Amerikën dhe amerikanët në radhë të parë”. ShBA-ja tha se po vazhdon rishikimi i organizatave të tjera ndërkombëtare.