Rajon
Rama: Vijon pastrimi i akseve rrugore
08.01.2026 11:50
Të gjitha njësitë operative kanë qenë në terren dhe puna vijon pa ndërprerje për pastrimin e akseve rrugore.

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se gjatë natës për mbarëvajtjen e situatës nga reshjet, të gjitha njësitë operative kanë qenë në terren dhe puna vijon pa ndërprerje për pastrimin e akseve rrugore.
Sipas Ramës, ekipet e bashkive, Emergjencat Civile Lokale, Forcat e Armatosura, ekipet mjekësore dhe Policia, kanë qenë në gatishmëri, teksa ekipet e kontraktorëve vijojnë në mënyrë të pandërprerë punën për pastrimin e akseve rrugore të prekura nga reshjet, rrëshqitjet e dheut apo dëbora. Rama nënvizoi se “kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje 24/7 për të bërë pastrimin e akseve rrugore”.
Kreu i Qeverisë këshilloi qytetarët që të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme me automjetet e tyre. “Në këtë periudhë, zhvillimi i trafikut vetëm për udhëtime esenciale është i domosdoshëm për të garantuar sigurinë e të gjithëve dhe për të lehtësuar punën e ekipeve të mirëmbajtjes së rrugëve. “Përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo ku është njoftuar për prezencë dëbore dhe ngricash.”, theksoi Rama.
