Maqedoni
Përkeqësohet moti në vend, disa lumenj dalin nga shtrati i tyre
08.01.2026 13:50
Autoritetet e QMK-së u bëjnë thirrje qytetarëve që menjëherë të raportojnë çdo problem ose nevojë në numrin 112...

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit, veçanërisht në rajonet Tetovë-Gostivar, Ohër-Kërçovë dhe Manastir-Prespë. Ekipet e Qendrës për Menaxhim me Kriza janë duke ndjekur situatën dhe kanë ndërhyrë në rrugën Gostivar-Strazhë për të normalizuar trafikun pas rrëshqitjes së dheut. Disa rrëshqitje dheu janë regjistruar gjithashtu përgjatë rrugës nga Tetova drejt Banjës. Deri tani janë përmbytur dhjetëra shtëpi, oborre dhe parcela bujqësore. Situata po monitorohet, ndërkohë që autoritetet shpresojnë në stabilizimin e gjendjes.
“Në Gostivar, pas daljes së ujit nga shtrati i lumenjve Llakavicë dhe Sushicë, rruga Forinë - Kuçevishtë është vështirë e kalueshme. Në Ohër, nga dalja e ujit nga shtrati, janë përmbytur disa bodrume dhe oborre. Në Kërçovë ka objekte të përmbytura përgjatë rrugës Prilepska, ku rreth 100 persona janë të evakuuar, nga dalja e shtratit të lumenjve Zarshka dhe Treska. Në Manastir dhe Prespë është shënuar rritje e nivelit të ujit dhe këtu kemi pasur disa shtëpi dhe oborre të përmbytura. Në Tetovë, pas rrëshqitjes së dheut, disa rrugë janë bllokuar, ndërsa ende është e pakalueshme një rrugë drejt Banjës. Atje po intervenojnë ekipet e Qytetit të Tetovës, të cilat janë në terren dhe po bëjnë përpjekje që rrugët të lirohen sa më shpejt.”, - deklaroi drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.
Shtretërit e lumenjve në vend vazhdojnë të jenë pranë kufirit të daljes së ujit nga shtrati. Gjatë 24 orëve të fundit, gjendja më kritike vazhdon të paraqitet përgjatë shtratit të lumit Vardar në rajonin e Pollogut, bëjnë të ditur nga QMK-ja. Ndërkohë, hidrometeorologët theksojnë se, nëse reshjet e shiut vazhdojnë në këtë pjesë të vendit, është e mundur që sërish të ndodhë dalja e ujit nga shtrati i këtij lumi.
“Aktualisht, niveli i ujit është i lartë në të gjitha lumenjtë e vendit, megjithatë situata më kritike paraqitet në pjesët perëndimore, ku kanë rënë sasi më të mëdha reshjesh. Për momentin, gjendja më alarmante është në pjesën e sipërme të lumit Vardar, konkretisht në rajonin e Pollogut, ku niveli i ujit ndodhet pranë kufirit të derdhjes së tij. Për këtë arsye, në orët dhe ditët në vijim janë të mundshme vërshime lokale. Po ashtu, niveli i ujit në lumin Treska është dukshëm i lartë dhe edhe atje ekziston mundësia e vërshimeve lokale përgjatë gjithë shtratit të lumit.”, - theksoi hidrometeorologu, Atanas Ugrinski.
Në rajonin e Prespës, reshjet e shiut kanë shkaktuar rritje të niveleve të ujit dhe derdhje të disa rrjedhave ujore, duke përmbytur një numër të madh shtëpish dhe oborresh. Autoritetet e QMK-së u bëjnë thirrje qytetarëve që menjëherë të raportojnë çdo problem ose nevojë në numrin 112.
REXHEP QAMILI
