Maqedoni
Kërçovë, vërshimet e lumit të Zajazit rrezikojnë banorët e lagjes “Prilep”
08.01.2026 14:08
Vërshimet e lumit të Zajazit kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në shumë vendbanime të rajonit të Kërçovës...

Vërshimet e lumit të Zajazit, që erdhën si pasojë e reshjeve të shiut, kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në shumë vendbanime të rajonit të Kërçovës, por më të prekurit e këtyre përmbytjeve janë banorët e lagjes së “Prilepit”, që jetojnë në afërsi të lumit të Zajazit. Komuna e Kërçovës në bashkëpunim me NPK-në, Qendrën Rajonale për Menaxhim me Krizat dhe Kryqin e Kuq, i kanë ndërmarrë të gjitha masat për t’u dalë në ndihmë familjeve të prekura nga përmbytjet, tha kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski.
“Gjatë ditës së djeshme ka pasur të reshura të shiut, të cilat fatkeqësisht kanë shkaktuar dëme të mëdha. Kemi përmbytje të mëdha. Kemi formuar shtabin e krizës dhe i kemi marrë të gjitha masat e duhura të intervenimit ndaj kësaj fatkeqësie natyrore. Familjet e prekura nga përmbytjet u vendosën në sallën sportive të “Ivanidollit” dhe për ato u siguruan kushtet elementare, ushqime dhe mjete higjienike, por dhe përkujdesja e nevojshme mjekësore për të parandaluar infektimet e mundshme.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski.
“Kemi siguruar ndihmën elementare për 100 personat e sistemuar, dyshekë, batanije, ujë dhe ushqime, ndërsa brenda ditës presim ndihmat konkrete edhe nga qendra jonë në Shkup dhe hapjen e kuzhinës popullore me ushqime të freskëta.”, - theksoi sekretari i Organizatës së Kryqit të Kuq në Kërçovë, Besnik Selimi.
Ekipet e NPK-së vazhdojnë të punojnë në pastrimin e shtratit të lumit, i cili shkakton probleme të mëdha sa herë që kemi reshje më intensive të shiut me pasojë vërshimet që shkaktohen nga hedhja e mbeturinave dhe materialeve ndërtimore në brigjet e këtij lumi.
SHABAN DALIPI
