Rajon

Situata e rënduar në disa rajone, viktima e parë nga përmbytjet në Shqipëri

08.01.2026 14:14

Në Shqipëri u regjistrua viktima e parë nga përmbytjet....

Në Shqipëri u regjistrua viktima e parë nga përmbytjet. Astrit Hysenaj, punonjës i ndërmarrjes komunale, u gjet i mbytur në kanal pranë plepave 2 ditë pasi ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët. Dyshohet se e ka marrë rrjedha e ujit, për shkak të vërshimeve nga reshjet e dendura të shiut.
 
Ndërkohë në Durrës, situata mbetet kritike, sidomos në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku përmbytja erdhi edhe nga rritja e prurjeve të lumit Erzen. Emergjencat civile urdhëruan evakuimin e detyrueshëm të banorëve.
 
Në Vlorë, dalja e lumit Vjosa nga shtrati çoi në evakuimin e zonës së Novoselës dhe Ferrasit.
 
Probleme ka edhe në Lezhë, Shkodër dhe Korçë, ku disa akse kryesore vijojnë të bllokuara.
 
Ndërkohë reshjet e dëborës përfshinë zonat malore, duke e bërë të vështirë qarkullimin normal. Policia e shtetit bëri thirrje për pajisjen e makinave me goma dimërore dhe zinxhirë.
 
LULJETA NDOKA