Maqedoni
Gripi merr hov në vend, rritet numri i fëmijëve me grip
08.01.2026 14:30
Gjatë javës së parë të vitit 2026, ka pasur 1.725 pacientë me grip...

Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik, gjatë javës së parë të vitit 2026, ka pasur 1.725 pacientë me grip, që është 2.2 herë më shumë se java e kaluar, kur kishte 771 pacientë. Këtë javë, krahasuar me të njëjtën javë të vitit të kaluar, numri është rritur 5.5 herë, dhe krahasuar me mesataren e 15 viteve të fundit, kjo shifër tregon një rritje prej 38 për qind.
“Duke pasur parasysh periudhën në të cilën ndodhemi, me festa dhe tubime, kjo është diçka që pritet. Presim që kulmi të jetë në gjysmën e dytë të këtij muaji dhe gjysmën e parë të shkurtit. Me kthimin e fëmijëve në shkollë, presim që numri i personave që do të sëmuren me grip ose sëmundje të ngjashme me gripin të rritet.”, - deklaroi Marija Andonovska nga Instituti i Shëndetit Publik.
Mjeku Avdi Murtezani nga Klinika e Fëmijëve thotë se brenda 24 orëve kontrollohen nga 120 deri në 150 pacientë me simptome të gripit. Sipas tij, dominon virusi RSV, sidomos tek foshnjat që janë nën moshën njëvjeçare dhe ata që janë të lindur para kohe, ndërsa më dominues është virusi i gripit apo influenca A.
“Javës së fundit kemi fluks të shtuar të pacientëve, të cilët paraqiten në klinikën tonë me simptome të gripit, që kërkojnë ndihmë mjekësore. Brenda 24 orëve paraqiten nga 120 - 150 pacientë që kërkojnë ndihmë mjekësore. Mbingarkesë ka, por vet situata menaxhohet, sa i përket kontrolleve të pacientëve dhe pacientët që hospitalizohen në klinikën tonë. Në ditët e ardhshme do të shtohet edhe më shumë numri i pacientëve, por siç thashë, vet situata është e menaxhuar dhe të gjithë pacientët që vijnë në kontroll dhe kërkojnë ndihmë mjekësore, të njëjtën e marrin nga ana e mjekëve të Klinikës së Fëmijëve dhe ato pacientë që kanë simptoma më të rënda respiratore, të njëjtët hospitalizohen për trajtim spitalor.”, - theksoi pediatri, Avdi Murtezani.
Nga IShP-ja rekomandojnë shmangien në vende të mbyllura, veçanërisht në dhoma me shumë njerëz, siç janë qendrat tregtare dhe të tjera. Të lahen duart shpesh me sapun dhe ujë, të shmangen kontaktet me njerëz që teshtijnë dhe kolliten dhe të bëhet hidratimi i trupit dhe marrja e mineraleve dhe vitaminave.
VLORA LATIFI TOPOJANI
