Maqedoni

“Eco Guerilla” për “Jugohromin”: qeveria të zbatojë kushtetutën dhe ligjet

01.06.2015 17:14

Lëvizja qytetare “Eco guerilla”, i është drejtuar me një letër të hapur qeverisë në lidhje me fabrikën “Jugohrom”...

Lëvizja “Eco Guerilla” kërkon nga Qeveria e RM-së që në afat sa më të shkurtë të sjellë vendimin në lidhje me këtë çështje shumë shqetësuese për qytetarët e Tetovës dhe rrethinës.
 
“Sot ka kaluar një muaj i plotë nga data kur qeveria duhej të merrte një vendim për fatin e këtij ndotësi rajonal. Ishte data një maj kur qeveria duhej të merrte vendin se çfarë do bëhet më tej. Sot është një qershori dhe ne kemi reaguar për shkak se kemi parë mungesë serioziteti tek qeveria, e cila mesa duket më shumë po brengoset për milionat e oligardëve rusë se sa për fatin e qytetarëve të Tetovës me rrethinë. Kemi reaguar për të marrë një përshpejtim të këtij procesi, marrjen e një vendimi për fatin e “Jugohromit” dhe çfarë do bëhet është në dorën e qeverisë”- deklaroi Arjanit Xhaferi nga “Eco Guerilla”.
 
Por, nuk është vetëm “Jugohromi” ndotës i ajrit të Tetovës. Mbrëmë Tetova u zhyt në një tym të dendur kur në një varrezë makinash, në hyrje të qytetit, dikush u vuri zjarrin gomave të vjetra. 
 
“Eco Guerrila” kërkon nga inspektorati komunal të marrë masa ndaj njerëzve të pandërgjegjshëm, që helmojnë në këtë mënyrë ajrin edhe ashtu të helmuar të Tetovës.
 
“Është krejtësisht e pandërgjegjshme, d.m.th. se disa biznese radhiten në anën e vrasësve në vend që të radhiten në anën e luftëtarëve për ajër të pastër. Është krejtësisht e papërgjegjshme që këto subjekte djegin në ajër të hapur materiale të ndryshme. Të premten është vërejtur një djegie, ka dalë një tym i bardhë, nuk e dimë se çfarë është djegur konkretisht dhe në ditën e diell janë djegur goma pranë një pllaci varrezë-makinash, që është në hyrje të Tetovës. ku është raportuar të digjen goma”- tha kryetari i Shoqatës “Eco Guerilla”, Arianit Xhaferi.
 
Nga Komuna e Tetovës thonë se inspektorati ka dalë në vendngjarje dhe ka konstatuar shkelje ligjore-djegie të mbeturinave nga ana e subjektit Pofix-Tetovë dhe për të njëjtin është shqiptuar gjobë materiale në vlerë prej 2000 euro për subjektin juridik, si dhe 400 euro për personin përgjegjës të kompanisë në fjalë.
 
Edhe për personat që dje kanë djegur pjesë të automjeteve dhe goma në hapësira publike, në hyrje të Tetovës, ka nisur procedura për gjetjen e autorëve dhe sigurisht edhe këta persona do të dënohen sipas ligjit të vendit.
 
Nga komuna njoftuan se do të kenë zero tolerancë për subjektet dhe bizneset që veprojnë në këtë mënyrë dhe të njëjtët do të gjobohen maksimalisht në pajtim me predispozitat ligjore në vend. 
 
VISAR SADIKI