Maqedoni
Takimi i liderëve, Filipçe: S’marrim pjesë, Qeveria teknike të mbetet
08.01.2026 15:07
LSDM nuk do të marrë pjesë në takim të liderëve...

Pas paralajmërimit të kryeministrit Hristiajn Mickoski për takim të liderëve, ku mes tjerësh do të diskutohej edhe nevoja për heqjen e Qeverisë teknike, vjen përgjigja nga opozita. LSDM nuk do të marrë pjesë në atë takim, tha kryetari i kësaj partie, Venko Filipçe. Sipas tij, ky takim është tentim i kryeministrit Mickoski për të gjetur alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Mickoski dhe koalicioni i tenderëve VMRO-“E di” le të shpallin zgjedhjet vetë, pasi që tashmë e kanë planifikuar. LSDM nuk do të shërbejë si mbulesë për këtë skenar.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
BDI do ta shqytojë pjesmarrjen në takim
Nga BDI theksojnë se fillimisht presin të mbërrijë ftesa, e më pas do të ndërtohet qëndrimi, nëse ata do të marrin pjesë në takimin e liderëve që e paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski.
“Ftesa akoma nuk është dërguar dhe e njëjta vetëm është e paralajmëruar. Kur të arrijë ftesa, do ta shqyrtojmë dhe do të kemi qëndrim rreth pjesëmarrjes sonë.”, theksojnë nga BDI.
Mickoski: Sjellja e opozitës është e papjekur
Sjellje e opozitës është e hutuar dhe e papërgjegjshme, theksoi kryeministri Mickoski. Ai shtoi se në takim donin të diskutohej edhe për agjendën reformuese, ligjet në fushën e drejtësisë dhe fusha të tjera përmes një procesi gjithëpërfshirës.
“Mendova se me këtë ftesë do të tregonim pjekuri dhe hapësirë dhe se si aktorë politikë do të mund të bashkoheshim. Tema e takimit të liderëve nuk ishte vetëm Qeveria teknike. Nëse si opozitë sillen në këtë mënyrë të papjekur dhe të papërgjegjshme, atëherë takimi i liderëve nuk na nevojitet dhe me 61 vota në Parlament mund ta miratonim heqjen. Por, ne dëshironim që gjithë procesi të ishte gjithëpërfshirës.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
VLEN: Jemi të hapur për çdo takim
Nga VLEN-i, ndërkohë përshëndesin iniciativën e kryeministrit për një takim të liderëve.
“VLEN-i është gjithmonë i hapur për çdo takim, që ka për qëllim funksionimin e institucioneve dhe gjetjen e zgjidhjeve në interes të qytetarëve. Çdo ftesë apo iniciativë e tillë, që do të arrijë në adresën tonë, do të shqyrtohet me përgjegjësi dhe opinioni do të njoftohet me kohë.”, theksojnë nga VLEN.
Përndryshe, Qeveria teknike është pjesë e marrëveshjes mes Zoran Zaevit dhe Nikolla Gruevskit në Përzhinë dhe që nga ajo kohë ka qenë disa herë objekt debatesh politike, ku partitë, varësisht nëse kanë qenë në pushtet apo në opozitë, kanë kërkuar herë pas here shfuqizimin e saj.
ERSAN PAJAZITI
