Botë
Venezuela: ShBA-ja sekuestron tankerë, rriten tensionet me Rusinë dhe aleatët e saj
08.01.2026 15:23
Anijet e ashtuquajtura të “Flotës në hije”, po i ndezin sërish tensionet....

Anijet e ashtuquajtura të “Flotës në hije”, të cilat Rusia, Irani dhe Venezuela i përdorin për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare, po i ndezin sërish tensionet. Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar dy cisterna të lidhura me naftën venezuelase në operacione në Atlantikun e Veriut dhe në Karaibe. Tankeri “Marinera”, i njohur më parë si Bela-1, që nga 24 dhjetori lundronte nën flamur rus. Ndërsa anija “Sofia” lundronte pa shtetësi në ujëra ndërkombëtare. Këto veprime pasojnë pasi Karakasi dhe Uashingtoni arritën një marrëveshje për eksportin e naftës së papërpunuar venezuelase drejt ShBA-së në vlerë deri në dy miliardë dollarë.
“Mënyra se si e kontrollojmë Venezuelën është se ne kontrollojmë portofolat, kontrollojmë burimet energjetike dhe i themi regjimit se ju lejohet ta shisni naftën për aq kohë sa u shërbeni interesave kombëtare të Amerikës. Në këtë mënyrë ushtrojmë presion të jashtëzakonshëm mbi atë vend pa rrezikuar asnjë qytetar amerikan.”, - deklaroi zëvendëspresidenti i ShBA-së, Xh. D. Vens.
Sekuestrimi i anijeve shkaktoi reagim të ashpër nga Rusia, e cila e vlerësoi këtë veprim si “pirateri moderne”, ndërsa disa vende evropiane shprehën shqetësim serioz për respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
“Në përputhje me normat e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1982 për të drejtën e detit, në ujërat ndërkombëtare garantohet liria e lundrimit dhe asnjë shtet nuk ka të drejtë të përdorë forcë kundër anijeve të regjistruara në mënyrë të rregullt nën juridiksionin e shteteve të tjera.”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Transportit të Rusisë.
Ministri britanik i Mbrojtjes thotë se i kanë ndihmuar ShBA-së në operacionin për sekuestrimin e një tankeri, që është nën sanksione që nga qershori i vitit 2024 dhe nën akuza për transport të ngarkesave ilegale për Hezbollahun.
“Britania e Madhe, me kërkesë të ShBA-së, e mbështeti këtë operacion si pjesë e përpjekjeve globale për t’u përballur me shkeljen e sanksioneve dhe aktivitetet e transportit të fshehtë. Kjo është një anije e sanksionuar, pa shtetësi, me një histori të gjatë aktivitetesh dashakeqe dhe me lidhje të ngushta si me Iranin ashtu edhe me Rusinë. Ky ishte një operacion amerikan. Asnjë personel britanik nuk mori pjesë në sekuestrim.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Xhon Hili.
Për 17 mars është caktuar seanca gjyqësore, kur Maduro dhe bashkëshortja e tij duhet të paraqiten para gjykatës në Nju Jork. Në Karakas, mbështetësit e Qeverisë kërkuan në protestë kthimin e presidentit të rrëzuar.
BELINDA KOKA ADEMI
