Botë
Raportime për dhjetëra viktima, protesta mbarëkombëtare në Iran
09.01.2026 10:25
Irani u përfshi të enjten në mbrëmje nga një ndërprerje pothuajse e plotë e internetit...

Irani u përfshi të enjten në mbrëmje nga një ndërprerje pothuajse e plotë e internetit, ndërsa protestat kundër kushteve të rënda ekonomike u përhapën në të gjithë vendin, duke shtuar presionin mbi udhëheqjen politike.
Sipas organizatës “Iran Human Rights” të paktën 45 protestues, mes tyre tetë fëmijë, janë vrarë nga forcat e sigurisë që nga fillimi i demonstratave në fund të dhjetorit. Të enjten, protestat u shtrinë në të 31 provincat e vendit, duke u shndërruar në lëvizjen më të madhe protestuese të tre viteve të fundit. Protestat vijuan edhe gjatë natës në Teheran dhe qytete të tjera, ndërsa në provincën jugore Fars, demonstruesit rrëzuan statujën e ish-komandantit të Gardës Revolucionare, Kasem Suleimani.
Presidenti iranian Masud Pezeshkian bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog, duke kërkuar shmangien e dhunës në përballjen me protestuesit. Megjithatë, situata ekonomike mbetet shkaku kryesor i pakënaqësisë. Protestat, të cilat deri tani nuk kanë një udhëheqje të qartë, po zhvillohen në një klimë të tensionuar edhe ndërkombëtarisht, me reagime nga ShBA-ja dhe vendet evropiane, ndërsa autoritetet iraniane vijojnë të akuzojnë faktorë të jashtëm për nxitjen e trazirave.
