Maqedoni

Reshjet e shiut, përmbytje dhe vështirësi në qarkullim

09.01.2026 11:50

Reshjet e dendura të shiut ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje...

Reshjet e dendura të shiut ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në rajonet Tetovë - Gostivar, Ohër - Kërçovë, Manastir - Prespë dhe Pollog, ku ka pasur rrëshqitje dheu dhe dëme materiale. 
 
Ekipet e Qendrës për Menaxhim me Kriza janë duke vepruar intensivisht për të pastruar rrugët dhe për të menaxhuar situatën, ndërsa niveli i ujit në disa lumenj është afër daljes nga shtrati. Situata më kritike është në lumin Vardar, ku mund të ndodhin vërshime lokale. 
 
Reshjet e shiut kanë vështirësuar lëvizjen në disa rrugë të Komunës së Tetovës, ku më problematike mbetet rruga e Banjës, e cila është pastruar dhe po punohet për hapjen e saj. Sipas zëdhënësit të komunës, Albion Alili, rrugët në fshatrat Poroj, Reçicë e Vogël, Shipkovicë, Gjermë dhe Sellcë janë të vështira për t’u kaluar, por jo të bllokuara.
 
Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut në rajonin e Kërçovës kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale, sidomos në lagjen “Prilep” pranë lumit Zajazit. Komuna e Kërçovës, bashkë me institucione të tjera, ka ndërmarrë masa emergjente për ndihmën e familjeve të prekura, duke siguruar kushte jetese, ushqime dhe ndihmë mjekësore. 
 
Ekipet e NPK-së vazhdojnë pastrimin e shtratit të lumit për të parandaluar përmbytjet e ardhshme.