Rajon

Kosovë, zgjedhjet e 28 dhjetorit, përfundoi numërimi, LVV me 51.11%

09.01.2026 12:19

KQZ ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje me 51.11 për qind të votave.
 
Tani KQZ-ja është e gatshme që të shpallë rezultatin përfundimtar, tha zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.
 
“Por, sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar.”, theksoi Elezi.
 
Grupi i fundit i fletëvotimeve që u numëruan ishin ato me postë, numërimi i të cilëve përfundoi mëngjesin e sotëm të 9 janarit. Pikërisht për votat me postë, në PZAP është dërguar një ankesë nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka kërkuar shfuqizimin e mijëra votave të diasporës që kanë ardhur në Kosovë me postë. Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja e Albin Kurtit ka shënuar rezultatin më të mirë në zgjedhje ndonjëherë, duke fituar 51.11 për qind të votave apo përkthyer në vota, ky subjekt mori 486.994 vota që i japin 57 vende në Kuvend. Kreu i kësaj partie, Albin Kurti, është personi më i votuar në Kosovë duke marrë 404.023 vota.