Maqedoni

Përmbytje në Pollog, Kërçovë e Ohër, QMK: Situata më kritike në rajonin e Koçanit

09.01.2026 14:14

Autoritetet e QMK-së së bashku me ekipet komunale kanë kaluar edhe një natë duke intervenuar në terren...

Autoritetet e Qendrës për Menaxhim me Kriza së bashku me ekipet komunale kanë kaluar edhe një natë duke intervenuar në terren, duke u përballur me pasojat e reshjeve të dendura. Gjatë mbrëmjes së kaluar dhe mëngjesit të sotëm, ata kanë intervenuar në disa vendbanime në Koçan dhe Ohër, pasi reshjet e shumta kanë shkaktuar daljen e ujit nga shtrati i lumenjve, duke përmbytur sërish disa shtëpi, oborre dhe rrugë lokale. Nga QMK njoftojnë se në këto dy qytete ekipet janë vazhdimisht në terren, pasi ekziston rrezik i vazhdueshëm nga dalja e ujit nga shtrati i lumenjve. 
 
“Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në disa zona të vendit ende ka rritje të nivelit të lumenjve dhe përmbytje lokale. Situata më kritike është në rajonin e Koçanit, veçanërisht në fshatin Gërdovc, ku ka bodrume të përmbytura dhe është ndaluar qarkullimi në disa pjesë të rrugëve. Në Ohër është përmbytur lagjja “Tajand”, ndërsa në Kërçovë rreth 120 persona janë evakuuar. Në rajonin e Tetovës ka rrëshqitje të dheut, ndërsa në Komunën e Zhelinës është regjistruar se lumi Vardar ka dal nga shtrati. Në pjesë tjera të vendit është situata është stabile dhe të gjitha shërbimet kompetente janë në terren.”, - deklaroi drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.
 
Në rajonin e Shkupit situata paraqitet e qetë dhe stabile, ndërsa në rajonin e Tetovës, përveç përmbytjeve të disa shtëpive dhe rrugëve lokale, është raportuar edhe për rrëshqitje dheu në disa rrugë lokale. Banorët e fshatit Strimnicë ankohen se përballen shpesh me vërshime të tilla, të cilat po përsëriten vazhdimisht  dhe kërkojnë zgjidhje afatgjata për parandalimin e tyre.
 
“Kjo lagje është e bllokuar dhe rreth 20 shtëpi janë të bllokuara dhe të rrethuara nga uji. Sot në mëngjes edhe lumi Vardar kishte dalë nga shtrati, por tani niveli i ujit është ulur dhe mund të kalojmë. Megjithatë, siç mund të shihni në pjesën tjetër, kështu ka qenë gjendja. Ky problem na përsëritet që nga viti 2004. Çdo dy deri në tre vjet uji del nga shtrati i lumit. Shtrati i këtij lumi duhet të pastrohet dhe të zgjerohet rregullisht, sepse vetëm kështu nuk do të kemi më probleme.”, - tha një banor i fshatit Strimnicë.
 
Autoritetet komunale të Koçanit dhe Ohrit, përveç aktiviteteve operative në terren, kanë filluar procedurat për vlerësimin dhe përllogaritjen e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.
 
“Ne si komunë jemi në gatishmëri të plotë dhe Shtabi i Krizës është duke punuar në procesin e dëmshpërblimit të banorëve të prekur nga këto vërshime. Vazhdimisht jemi në terren dhe do të bëjmë gjithçka që nevojitet. Numrat e telefonave janë të hapur, ndërkohë që Shtabi i Krizës po vepron në terren dhe pritjet e mia janë që gjatë orëve në vijim situata të stabilizohet.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov.
 
“Kemi formuar një ekip të veçantë në Komunën e Koçanit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga këto vërshime. Vetëm në vendbanimin Gërdovc janë përmbytur disa oborre, ndërsa në disa raste uji ka hyrë edhe në shtëpitë e banorëve. Ndërkohë, në fshatrat e tjera uji ka përmbytur vetëm disa oborre dhe shtëpitë nuk janë prekur.”, - theksoi kryetari i Komunës së Koçanit, Vllatko Grozdanov.
 
Ditë më herët, edhe disa vendbanime në rajonin e Prespës u përballën me përmbytje, ku si pasojë e daljes së ujit nga shtrati i lumenjve u përmbytën një numër i madh shtëpish dhe oborresh. Autoritetet e Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK) u bëjnë thirrje qytetarëve që menjëherë të raportojnë çdo problem apo nevojë në numrin emergjent 112.
 
REXHEP QAMILI