Rajon
Përmbytje në Kosovë, 108 zona janë në rrezik ekstrem
09.01.2026 15:24
Vërshimet e shkaktuara nga reshjet e fundit të shiut dhe borës në Kosovë kanë përmbytur shtëpi...

Vërshimet e shkaktuara nga reshjet e fundit të shiut dhe borës në Kosovë kanë përmbytur shtëpi, toka bujqësore dhe biznese. Forca e Sigurisë së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë së njësive të saj për të mbështetur autoritetet civile në menaxhimin e situatës. Ministri në detyrë i Infrastrukturës i Kosovës, Hysen Durmishi, tha se në Kosovë janë të evidentuara 491 kilometra lumenj që janë të ekspozuar ndaj vërshimeve dhe përmbytjeve dhe se janë 398 zona me rrezik të konsiderueshëm nga përmbytjet, prej tyre 108 zona janë në rrezik ekstrem.
"Duhet të bëhen shumë investime në Kosovë, edhe nga niveli qendror edhe nga niveli lokal, në mënyrë që kur kemi reshje të mëdha të kemi sa më pak vërshime e përmbytje. Ajo çka është më e rëndësishmja është se duhet një koordinim shumë më i mirë i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ambientit me komunat, që të bëhen sa më shumë projekte, në mënyrë që në të ardhmen të kemi sa më pak raste të tilla, sepse po na ndodh që po përsëritet situata e njëjtë. Në vend se të përmirësohen shtretërit e lumenjve, po na shkon gjendja duke u përkeqësuar në disa pjesë.", - deklaroi ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Hysen Durmishi.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë, Izja Mjeku, thotë se gjendja është duke u përmirësuar, derisa njoftoi se tanimë komisioni i formuar nga komuna ka filluar vlerësimin e dëmeve nga vërshimet.
“Zona e fshatrave, duke filluar nga Grabovci, Bardh, Mesbardh, Pomozotin, dy Dobrevat, Henci dhe afër Bresjes, pra, të gjitha fshatrat kanë qenë, mirëpo më i rrezikuari ka qenë fshati Kuzmin, ku është dashur t’i tërheqim shtatë familje diku të komuniteteve, të cilët kanë shkuar nëpër familjarët e tyre dhe pse na kemi shpreh mundësi që t’i dërgojmë nëpër banesa ku ka mundësi komuna.”, - theksoi drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë, Izja Mjeku.
Gjatë këtyre ditëve, reshjet mesatare në territorin e Kosovës arritën 97.1 mm (l/m²), duke kontribuar në situatën e përmbytjeve dhe vërshimeve. Instituti vazhdon të monitorojë situatën hidrometeorologjike dhe paralajmëron qytetarët të tregojnë kujdes pranë lumenjve dhe zonave të përmbytura.
FITORE NAGAVCI
