Rajon

Situatë kritike në Shqipëri, përmbyten 1.600 banesa dhe mbi 13 mijë hektarë tokë bujqësore

09.01.2026 15:37

Në të gjithë Shqipërinë, aktualisht janë të përmbytura mbi 13 mijë hektarë tokë bujqësore...

Në të gjithë Shqipërinë, aktualisht janë të përmbytura mbi 13 mijë hektarë tokë bujqësore dhe gati 1.600 banesa, pronarët e të cilave Qeveria i garanton se do t’i kompensojnë plotësisht.
 
“Dua t'i siguroj edhe të dëmtuarit e kësaj here, se ne do t'i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë.”, - deklaroi kryeministri, Edi Rama.
 
“Vlera totale shkon mbi 50 milionë euro që janë të disponueshme për situatën e krijuar.", - theksoi ministri i Financave, Petrit Malaj.
 
Për të diskutuar menaxhimin e situatës së përmbytjeve pas reshjeve masive të ditëve të fundit, kryeministri Rama mblodhi Komitetin e Emergjencave, ku iu përgjigj akuzave të opozitës.
 
“Shiu nuk ndalet me shpifje, si ato që nuk punojnë hidrovorët, lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta, si ato që s’kanë lidhje fare me arsyen pse përmbyten shtëpitë e ndërtuara në territore shumë vulnerabël, retë nuk shpërndahen me slogane, si ai slogani kronik i çdo gjendjeje atmosferike të rënduar të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Këto janë  reagime që ushqejnë nervozizëm, jo zgjidhje, ushqejnë ndarje, jo ndihmë, ushqejnë çorodi, jo siguri.... Në një situatë si kjo, nuk kërkohen fajtorë imagjinarë, por ndihmohen njerëzit realë. Njerëzit nuk kanë nevojë për më shumë britma, shpifje dhe teori konspiracioni, por për më shumë solidaritet, mbështetje dhe bashkim forcash.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Rama tha se në pak orë ka rënë më shumë shi se mesatarja e gjithë muajit, por dëmet edhe më katastrofike u parandaluan.
 
“Po për të dhënë një ide të plotë të transformimit të bërë në këtë drejtim duhet të informojmë se investimet prej afrosh 250 milionë eurosh në dekadën e fundit kanë rindërtuar 536 kanale ujitëse dhe kullimi që ishin faktikisht thuajse të stërpërgjysmuara në efikasitetin e tyre, kanë përforcuar masivisht argjinaturat që binin nga të katërta anë në furtunën më të parë, kanë futur në punë 12 hidrovorë që kishin reshtur së punuari prej vitesh, kanë rritur sigurinë e 44 digave më të kërcënuara, kanë shtuar ndjeshëm kapacitetet e flotës së ekskavatorëve edhe në nivelin vendor.”, - deklaroi kryeministri, Edi Rama.
 
Rreth 5.500 efektivë policie e mbi 720 forca të zjarrfikësve janë të shpërndara në të gjithë territorin. Më e prekur nga këto përmbytje është Durrësi, Vlora dhe Lezha me qindra familje të evakuuara dhe mijëra hektarë tokë nën ujë.
 
LULJETA NDOKA