Maqedoni
Nesër fillon testimi ekstern, nxënësit të gatshëm, shpresojnë të mos ketë parregullsi
01.06.2015 17:35
Prej nesër deri më 10 qershor në gjitha shkollat fillore dhe të mesme të vendit do të zhvillohet testimi ekstern në dy lëndë...

Qendra për Testim në faqen zyrtare ka publikuar mbi 400 mijë pyetje në gjuhën shqipe, maqedonase, turke dhe serbe.
Nxënësit e anketuar nga TVM2 shprehen se janë të gatshëm t’i nënshtrohen testimit, por shpresojnë të mos ketë parregullsi përmbajtësore si viteve të kaluara.
“Kam parë pyetjet, i kam shfletuar në shtëpi, në lëndën e matematikës ishin mirë pyetjet. Mirëpo shpresoj që gjatë testimit pyetjet nuk do jenë sikur herën e kaluar. Vitin e kaluar kisha në lëndën e matematikës, ishin disa pyetje në gjuhën maqedonase dhe disa pyetje në gjuhën shqipe”- deklaroi një nxënëse në ZLM.
“Qëndrimi ynë ndaj testimit ekstern dihet, por prapë se prapë nuk mendoj që jemi përgatitur vetëm për testim, por ne përgatitemi gjatë gjithë vitit”- u shpreh një nxënës në ZLM.
“Me qenë se jam nxënëse e shkëlqyeshme, kam notat pesëshe, përafërsisht sa i përket lëndës kam njohuri të bollshme dhe mendoj se jam e përgatitur”- theksoi një nxënëse në ZLM.
Në faqen e Qendrës për Testim nxënësit mund të shohin se në cilën nga këto dhjetë ditë do t’i nënshtrohen testimit.
Ndihmësdrejtori i Gjimnazit “Zef Lush Marku” thotë se nxënësit mund të informohen edhe në shkollë.
“Shkolla e Mesme e qytetit të Shkupit, “Zef Lush Marku”, është e gatshme për testimin ekstern. Këtë mund ta vërtetojmë me faktin se kemi gati 5 kabinete të pajisura të gjitha me kompjuterë. Testimi do të fillojë prej orës 8 në mëngjes dhe do të vazhdojë deri në orën 16 të pasdites. Në tablonë informative të shkollës janë të njoftuar nxënësit se në cilin kabinet, në sa ora do të testohen dhe nga cila lëndë”- tha ndihmësdrejtori në “Zef Lush Marku”, Abil Baush.
MERAL ISMAILI
