Maqedoni
Rashidi: vizita e Han do të përshpejtojë procesin
01.06.2015 17:43
Vizita e komisionarit për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johanes Han, e paralajmëruar për të martën, pritet të përshpejtojë procesin për zgjidhjen e ngërçit politik...

Sipas analistit, Nazim Rashidi, fakti që palët e pranojnë që ka krizë politike dhe që kanë hyrë në negociata, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar do të sjell deri në një zgjidhje kompromisi, e cila nuk do të kënaq plotësisht asnjërën palë.
Sipas tij, zgjidhja e krizës janë zgjedhjet e parakohshme, por çështja është se kush do t’i organizojë ato.
“Çështja që shtrohet është se a do të hyjë vendi në zgjedhje të parakohshme. Kjo tashmë është e paevitueshme. Problemi është se kush do t’i organizojë dhe çfarë institucione do të qëndrojnë prapa organizimit që këto zgjedhje të jenë të besueshme. Kam përshtypjen që edhe sinjalet që vijnë nga qeveria, sigurisht, edhe nga opozita, të gjithë e shohin në një farë mënyre zgjidhjen tek zgjedhjet, por problemi do të vazhdojë të qëndrojë se kush do t’i organizojë këto zgjedhje dhe sa të besueshme do të jenë më tej”- deklaroi analisti, Nazim Rashidi.
Sipas Rashidit, roli i partive shqiptare do të ishte shumë më i rëndësishëm nëse fillonin bashkëpunimin shumë më herët dhe kërkonin votim mosbesimi të kësaj qeverie kur dështimet ishin evidente. Veprimi i partive shqiptare tani është i kufizuar, thekson Rashidi.
“Në këtë proces mendoj që subjektet politike shqiptare nuk kanë shumë zgjidhje, pra ata sillen brenda një kornize të kufizuar, e diktuar nga vetë situata aktuale. Çështja është se si do shfaqen më vonë dhe çfarë kërkesash politike do të kenë, pasi këto institucione minimale do të ndërtohen për ta çuar vendin përtej kësaj krize politike”- tha analisti, Nazim Rashidi.
Sipas Rashidit, zgjidhja më e mirë do të ishte një qeveri teknike, e cila do të angazhohej për pavarësimin e institucioneve që mund të kenë ndikim në procesin zgjedhor, si dhe organizimi i zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, të cilave do t’u besonin të gjitha palët pjesëmarrëse në garën zgjedhore dhe vetë opinion publik.
SHPËTIM NUREDINI
