Maqedoni
Zgjedhjet e përsëritura në katër komuna, sot votojnë të sëmurit dhe të burgosurit
10.01.2026 13:46
Mesnatën mes të premtes dhe të shtunës ka filluar heshtja zgjedhore për zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune në katër komuna të vendit....

Mesnatën mes të premtes dhe të shtunës ka filluar heshtja zgjedhore për zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune në katër komuna të vendit. Qytetarët e Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovës dhe Rostushes si dhe ata të Qendër Zhupës, të dielën prej orës 7 të mëngjesit deri në ora 19:00, do të kenë mundësi të shfrytëzojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin e komunës. Të drejtën e votës po e shfrytëzojnë sot, personat me problem shëndetësore, të burgosurit si dhe ata që ndodhen në paraburgim.
“Në Gostivar për votim janë paraqitur 146 persona me probleme shëndetësore dhe të pafuqishëm, ndërsa në burgje duhet të votojnë 81 persona. Në Mavrovë-Rostushë janë pranuar për votim kërkesat e 69 personave me problem shëndetësore, si dhe dy të burgosur. Në Vrapçisht janë paraqitur 32 persona me problem shëndetësore, ndërsa në burgje duhet të votojnë 11 qytetarë të kësaj komune. Në Qendër Zhupë janë paraqitur vetëm dy persona me problem shëndetësore.”, bëjnë të ditur nga KSHZ.
Numër më të madh të votuesve ka komuna e Gostivarit ku të drejtë vote kanë mbi 82 mijë votues.
“Në Gostivar të drejtë vote kanë gjithsej 82.870 qytetarë, prej të cilëve 78.185 votues janë banorë të përhershëm të komunës, ndërsa në Listën e posaçme zgjedhore për personat që jetojnë jashtë shtetit janë të regjistruar 4.604 votues. Në Listën zgjedhore për Mavrovë dhe Rostushë janë të regjistruar 10.575 votues, prej të cilëve 9.622 në listën e posaçme për banorët e komunës, ndërsa 951 jashtë shtetit. Në Vrapçisht janë të regjistruar 27.279 qytetarë me të drejtë vote, prej të cilëve 26.318 në listën e posaçme për banorët e komunës, ndërsa 950 në listën e posaçme për votuesit që jetojnë jashtë shtetit. Numri i votuesve në Qendër Zhupë të regjistruar në Listën zgjedhore është 7.562, prej të cilëve 6.305 në komunë, ndërsa në listën e posaçme për votuesit jashtë shtetit janë të regjistruar 1.257 persona.”, bëjnë të ditur nga KSHZ.
Zgjedhjet për kryetarë në komunat e lartë përmendura po përsëriten pasi nuk u arrit cenzusi në zgjedhjet e 19 tetorit. Ndërsa në zgjedhjet e përsëritura nuk kërkohet arritja e cenzusit, mjafton që njëri nga kandidatët të marr shumicën e votave të qytetarëve që shfrytëzojnë të drejtën e votës, që të zgjidhet kryetar komune.
VLORA LATIFI TOPOJANI
