Botë

Autoritetet iraniane: Protestat janë nxitur nga SHBA-të dhe Izraeli

10.01.2026 14:22

Në Iran vazhdojnë protestat masive....

Në Iran vazhdojnë protestat masive. Protestat kanë hyrë në javën e dytë, pavarësisht kërcënimeve të autoriteteve. Agjencitë botërore të lajmeve raportojnë për dhjetëra të vrarë dhe të plagosur, si dhe mbi dy mijë persona të arrestuar. Megjithate informacionet janë të pakta për shkak të ndërprerjes së internetit. Udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i akuzoi drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara për trazirat. Autoritetet iraniane, në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thonë se SHBA-të kanë nxitur protestat, dhunën dhe vandalizmin.
 
“Dallimi i vetëm ndërmjet protestave në Iran dhe protestave në Liban pas rënies së monedhës së vendit është se SHBA-të dhe Izraeli e kanë shpallur zyrtarisht pjesëmarrjen e tyre në protesta. Ata po bëjnë gjithçka që munden për t’i shndërruar këto protesta paqësore në akte dhune.”, u shpreh Ministiri i Punëve të Jashtme të Iranit, Abas Aragçi.
 
Trump: SHBA do të ndërhyjë nëse vriten protestuesit 
 
Por protestuesit mendojnë se ndryshimi i sistemit politik është e vetmja rrugëdalje nga kriza e thellë në të cilën ndodhet aktualisht Irani. Ata kërkojnë publikisht kthimin e djalit të shahut të mërguar, Reza Pahlavi. Shtëpia e Bardhë nga ana tjetër thotë se po e ndjek me kujdes situatën dhe i hedh poshtë akuzat për nxitje protestash. Presidenti amerikan Trump ka kërcënuar se nëse vriten protestuesit, SHBA-të do të ndërhyjnë. 
 
“Irani është në telashe të mëdha. Më duket se njerëzit po marrin nën kontroll disa qytete për të cilat askush nuk mendonte se ishte vërtet e mundur vetëm disa javë më parë. Po e ndjekim situatën shumë nga afër. Dhashë një deklaratë shumë të fortë se, nëse fillojnë të vrasin njerëz siç bënin në të kaluarën, ne do të ndërhyjmë. Do t’i godasim shumë fort atje ku dhemb. Dhe kjo nuk do të thotë trupa tokësore. Prandaj, nuk duam që kjo të ndodhë. Ata kanë bërë punë të këqija. Janë sjellur shumë keq me popullin e tyre dhe tani ai po u hakmerret.”, u shpreh presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
 
OKB: E drejta e protestës është e garantuar
 
OKB thot se e drejta e protestës është e garantuar, prandaj çfardo shkelje e të drejtës së protestuesve duhet hetuar. 
 
“E drejta për protestë paqësore, siç garantohet nga e drejta ndërkombëtare, patjetër të mbrohet. Të gjitha vdekjet duhet të hetohen shpejt, në mënyrë të pavarur dhe transparente. Ata që janë përgjegjës për çfarëdo shkeljeje duhet të mbahen përgjegjës në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare. Po ashtu, jemi të shqetësuar nga raportimet për ndërprerje kombëtare të internetit dhe komunikimeve.”, u shpreh zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Xheremi Lorens.
 
Bashkimi Evropian ka kërkuar lirimin e të gjithë protestuesve të arrestuar, ndërsa udhëheqës të shumtë ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për mbrojtjen e të drejtës për protestë paqësore. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU