Maqedoni

Aksidenti i djeshëm në Shkup, MPB: 18 vjeçari dhe babai i tij janë në kërkim

10.01.2026 15:15

SPB Shkup ka parashtruar kallëzim penal ndaj katër personave lidhur me aksidentin rrugor që ndodhi dje në rrugën “Fronti Popullor” në Shkup rreth orës 11:30...

SPB Shkup ka parashtruar kallëzim penal ndaj katër personave lidhur me aksidentin rrugor që ndodhi dje në rrugën “Fronti Popullor” në Shkup rreth orës 11:30, ku një automjet Volkswagen Passat me targa të Shkupit, i drejtuar nga 18 vjeçari S.S. ka përplasur për vdekje 79 vjeçaren L.J. nga Shkupi, ndërsa shoferi u largua nga vendi i ngjarjes.
 
Policia njofton se dy persona janë arrestuar për rastin në fjalë, ndërsa shoferi 18 vjeç dhe babai i tij, janë arratisur.
 
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, policia ndërmori masa dhe aktivitete për gjetjen e shoferit dhe automjetit. Përmes kamerave të projektit “Qyteti i Sigurt” dhe kontrolleve shtesë të kamerave të objekteve përreth, si dhe deklaratave të dëshmitarëve, u konstatua se bëhej fjalë për automjetin Volkswagen Passat me targa të Shkupit, pronë e B.S. (45) nga Shkupi, i drejtuar nga djali i tij S.S. (18). Automjeti u gjet para shtëpisë së pronarit, ku u kap dhe S.S. (69), i cili u mor në stacion policor dhe u intervistua zyrtarisht. U konstatua se shoferi S.S. (18) dhe babai i tij B.S. (45), me ndihmën e Sh.P. (45) dhe A.J. (53) nga Shkupi, janë larguar nga vendi gjatë ditës së djeshme. Sh.P. dhe A.J. janë arrestuar dhe kundër tyre është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup për veprën penale “ndihmë ndaj kryerësit të një vepre penale”. Kundër shoferit S.S. (18) është ngritur kallëzim penal për “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik” sipas nenit 300, paragrafi 2, në lidhje me nenin 297, paragrafi 1 të Kodit Penal, si dhe për “mosdhënien e ndihmës për personin e lënduar në aksident rrugor.”, thonë nga MPB.