Maqedoni
KSHZ: Po votohet në katër komuna të vendit
11.01.2026 10:56
Në katër komuna të vendit po votohet sot për kryetar komune....

Në komunat Gostivar, Mavrovë-Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë, sot po mbahen zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune, pasi në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale më 19 tetor të vitit të kaluar nuk u arrit dalja e nevojshme ligjore prej së paku një të tretën e numrit të votuesve të regjistruar. Sipas Kodit Zgjedhor, në zgjehdjet e përsëritura nuk ka prag të daljes dhe për t’u zgjedhur kryetar komune është e nevojshme që për njërin nga kandidatët të votojë më shumë se gjysma e qytetarëve që dalin në votim.
Votimi ka filluar në ora 7:00 dhe do të vazhdojë deri në ora 19:00. Në Gostivar 82 mijë e 870 votues do të mund të votojnë në 120 vendvotime, në Mavrovë dhe Rostushë 10 575 votues do të mund të votojnë në 40 vendvotime, në Vrapçisht në 39 vendvotime të drejtën e votës mund ta shfrytëzojnë 27 279, ndërsa në Qendër Zhupë votohet në 16 vendvotime ndërsa të drejtë vote kanë 7 mijë e 562, votues.
Dje, në këto komuna votuan personat me problem shëndetësore dhe të burgosurit. Nga gjithsej 248 persona të paraqitur, deri në orën 19:00 të drejtën e votës në katër komunat ku po mbahen zgjedhjet e përsëritura lokale të shtunën e kanë shfrytëzuar gjithsej 242 persona të sëmurë ose të pafuqishëm, njoftuan nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Në Qendër Zhupë kanë votuar dy persona, në Komunën e Mavrovës–Rostushës kanë votuar 66 persona të sëmurë ose të pafuqishëm, në Vrapçisht kanë votuar 31 persona, ndërsa në Komunën e Gostivarit 143 persona. Përveç të sëmurëve dhe të pafuqishmëve, dje kanë votuar edhe të burgosurit. Nga gjithsej 94 persona të paraqitur për votim në institucionet ndëshkuese-korrektuese, deri në orën 19:00 të drejtën e votës e kanë realizuar 45 të burgosur. Nga KSHZ informojnë se votimi për këto kategori votuesish është zhvilluar pa pengesa dhe pa asnjë problem apo parregullsi.
Numërimi i votave nga dita e shtunë dhe shpallja e rezultateve, do të bëhet së bashku me rezultatet e votimit të sotëm.
NAIM SINANI
