Botë

Protesta në Karakas, mbështetje për Nicolas Maduro dhe Cilia Flores

11.01.2026 11:08

Mbështetësit e ish-udhëheqësit të rrëzuar të Venezuelës të shtunën organizuan protesta...

Mbështetësit e ish-udhëheqësit të rrëzuar të Venezuelës, Nicolas Maduro, të shtunën organizuan protesta, një javë pas kapjes së tij nga forcat amerikane. Megjithatë, vetëm disa qindra persona dolën në rrugë për të kërkuar lirimin e tij, në një kohë kur qeveria e përkohshme vazhdimisht po ndërmerr hapa për të ringjallur marrëdhëniet me Uashingtonin. Përmes sloganeve dhe pankartave, protestuesit shprehën mbështetjen e tyre për Maduro-n dhe Zonjën e Parë, Cilia Flores, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të çiftit. Disa qindra protestues të tjerë marshuan gjithashtu edhe në lagjen lindore Petare, me të njëjtën thirrje për lirimin e tyre. Pothuajse të gjithë protestuesit kishin të njëjtën shpresë se Maduro dhe Flores përsëri do të kthehen dhe se do të udhëheqin sërish Venezuelën. 
 
“Do të marshoj sa herë të jetë e nevojshme derisa Nicolas dhe Cilia të kthehen.”, u shpreh një protestues.
 
“Kam besim të verbër se ata do të kthehen - ata janë rrëmbyer.”, tha një protestues.
 
“Ky sulm kriminal, ky agresion kriminal, në orët e para të 3 janarit, solli si pasojë, së pari, rrëmbimin e presidentit Nicolas Maduro Moros, presidenti kushtetues i zgjedhur nga populli, dhe të bashkëshortes së tij, e cila është Zonja e Parë dhe deputete e Republikës Bolivariane të Venezuelës. Por ky sulm kriminal, vëllezër dhe motra, solli gjithashtu si pasojë vrasjen e rreth 100 venezuelianëve dhe venezuelianeve – 98 prej tyre personel ushtarak.”, u shpreh një protestues.
 
Për dallim nga protestat e ditëve të kaluara, në këto tubime morën pjesë shumë më pak protestues krahasuar me demonstratat e javës së kaluar, raportojnë mediat botërore.
 
Përveç kësaj, vëmendje tërhoqi mungesa e figurave kryesore të qeverisë në këto protesta, në një kohë kur autoritetet kanë bërë të ditur se po ringjallin kontaktet diplomatike me Uashingtonin dhe po diskutojnë shitje të mundshme të naftës drejt Shteteve të Bashkuara.
 
Maduro dhe Flores u kapën gjatë një operacioni të forcave amerikane herët në mëngjesin e 3 janarit dhe më pas u nxorën nga vendi, duke u dërguar në Nju Jork, ku u paraqitën në një seancë fillestare gjyqësore për akuza që lidhen me trafik droge dhe armësh.
 
REXHEP QAMILI