Maqedoni
Zgjedhjet lokale / SPB Tetovë: Proces i qetë, vonesa në zonat malore
11.01.2026 11:48
Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht po ndërmerr masa dhe aktivitete brenda kompetencave të saj...

Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht po ndërmerr masa dhe aktivitete brenda kompetencave të saj, me qëllim sigurimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe të sigurt. Zëdhënësi i SPB-së Tetovë, Fatmir Rexhepi, për TVM 2, deklaroi se deri tani i gjithë procesi zgjedhor në tri komunat që i mbulon atë të Gsotivarit, Vrapçishtit si dhe Mavrovës dhe Rostushes, po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa probleme. Deri më tani nuk janë raportuar parregullsi, përveç disa vonesave në hapjen e disa vendvotimeve, shkaktuar nga kushtet e këqija të motit.
“Gjatë ditës së sotme në rajonin që mbulon SPB Tetovë, Departamenti për punë të brendshme në Gostivarë zhvillohen zgjedhjet lokale në tri, nga katër komuna në të cilat nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votuesve gjatë rrethit të parë të zgjedhjeve të vitit 2025. Kështu që në komunën e Gostivarit, komunën e Vrapçishtit dhe Mavrovës dhe Rostushës votohet gjatë ditës së sotme ku deri më tani në aspektin e sigurisë nuk janë shfaqur asnjë lloj problem dhe procesi zgjedhor vazhdon në mënyrë më të rregullt dhe pa asnjë problem të evidentuar, përveç se problemeve të cilat janë shfaqur në rajonin e fshatrave të malësisë së Gostivarit apo Rekës së Epërme në komunën e Mavrovës dhe Rostushës ku në disa vendvotime procesi zgjedhor ka filluar me vonesë për shkaqe të rënda klimatike sepse siç e dini edhe vetë gjatë ditës së djeshme në rajonin veriperëndimor të shtetit ka mbizotëruar një mot me reshje të dendura të dëborës kështu që në këto fshatra ka qenë i vështirësuar edhe qarkullimi dhe për këtë arsye vendvotimet janë të hapur me vonesë.”, u shpreh për TVM 2 zëdhënësi i SPB-së Tetovë, Fatmir Rexhepi.
MPB është e gatshme të mbikëqyrë dhe të ndjek me kujdes mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, edhe në vendvotimet si ai në fshatin Qafë, në komunën e Mavrovës dhe Rostushës, i cili deri në këto momente nuk është hapur për shkak të kushteve të vështira të lëvizjes.
“Vetëm dy vendvotime nuk janë hapur akoma, njëri vendvotim është në një fshat të thellë respektivisht fshati Qafë i cili qarkullimin e bënë nëpërmjet komunës së Kërçovës apo fshatit Zajaz, dhe pritjet janë që në çdo moment pasi që do të jepet mundësia për të qarkulluar të njëjtat vendvotime do të hapen.”, tha Rexhepi.
Përndryshe, sot banorët e katër komunave në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë si dhe të komunës Qendër Zhupë, duhet të zgjedhin kryetarët e komunave, pas dështimit të këtij procesi në zgjedhjet e 19 tetorit të vitit të kaluar për shkak të mosarritjes së cenzusit.
REXHEP QAMILI
