Maqedoni

KSHZ: Dalja në votim deri në orën 11:00 në katër komunat është 3,33 për qind

11.01.2026 12:35

Dalja e votuesve në katër komunat ku po mbahen zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune është 3,33 për qind...

Deri në orën 11:00 të mëngjesit, dalja e votuesve në katër komunat ku po mbahen zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune është 3,33 për qind, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).
 
Sipas komunave, në Mavrovë-Rostushë dalja në votim është 5,90 për qind. Deri në orën 11:00 aty kanë votuar 624 qytetarë nga gjithsej 10.575 të regjistruar në Listën Zgjedhore. Dalja në votim në Vrapçisht është 3,02 për qind, ku kanë votuar 824 qytetarë nga gjithsej 27.279 të regjistruar.
 
Gostivari ka dalje në votim prej 3,21 për qind. Deri në orën 11:00 aty kanë votuar 2.655 nga gjithsej 82.870 votues. Dalja më e ulët është shënuar në Qendër Zhupë, respektivisht 2,22 për qind, ku kanë votuar 168 nga gjithsej 7.562 votues të regjistruar.
 
Nga KSHZ thonë se procesi i votimit në vendvotimet e hapura po zhvillohet normalisht dhe pa vështirësi të mëdha. Për shkak të kushteve atmosferike disa vendvotime janë hapur me vonesë prej 40 minutash deri në më shumë se një orë.