Botë

Vazhdojnë protestat në Iran, autoritetet iraniane kërcënojnë SHBA-të

11.01.2026 14:18

Kanë vazhduar protestat kundër regjimit në Iran, ndërsa Qeveria iraniane ka ashpërsuar reagimin ndaj trazirave....

Kanë vazhduar protestat kundër regjimit në Iran, ndërsa Qeveria iraniane ka ashpërsuar reagimin ndaj trazirave. Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, më shumë se 2.500 persona janë arrestuar, ndërsa njoftohet edhe për qindra të vrarë dhe të plagosur nga forcat e sigurisë gjatë tre ditëve të fundit. Autoritetet në Teheran njëherit paralajmëruan SHBA-të se nëse sulmojnë Iranin, Izraeli dhe të gjitha bazat ushtarake amerikane në rajon do të jenë objektiva legjitime për sulm. 
 
Për të shmangur përllogaritje të gabuara, duhe të jenë të vetëdijshëm se nëse merrni operacion për sulm ndaj Iranit, të gjitha qendrat ushtarake amerikane, bazat dhe anijet do të llogariten si caqe legjitime nga ana jonë. Ishte e nevojshme që këtë të ua them ju dhe aleatëve tuaj që të mos bëni llogari të gabuara.”, u shpreh kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohamad Bager Kalibaf.
 
Trump: Irani po shkon drejt lirisë
 
Deklarata e kryeparlamentarit Iranian vjen pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë Trump kërcënoi se do ta godasë Iranin shumë fuqishëm nëse autoritetet fillojnë ti vrasin protestuesit.
 
“Irani po shikon drejt LIRISË, ndoshta si kurrë më parë. SHBA-të janë të gatshme të ndihmojnë”, shkroi në rrjetet sociale presidenti amerikan, Donald Trump.
 
Pahlavi, thirrje demonstruesve të vazhdojnë protestat
 
Djali i shahut të përmbysur, Reza Pahlavi, me anë të një videomesazhi nga Uashingtonit, u bëri sërish thirrje demonstruesve të vazhdojnë protestat.
 
“Dijeni se nuk jeni vetëm. Bashkatdhetarët tuaj në mbarë botën e thërrasin me krenari zërin tuaj. Sot bota qëndron pranë revolucionit tuaj kombëtar dhe admiron guximin tuaj. Veçanërisht, presidenti Trump, si lider i botës së lirë, po e ndjek me vëmendje guximin tuaj të papërshkrueshëm dhe ka deklaruar se është i gatshëm t’ju ndihmojë.”, tha djali i shahut të rrëzuar iranian, Reza Pahlavi.
 
Protesta në disa vende, mbështetje protestuesve në Iran
 
Në mbështetje të protestuesve në Iran, u protestua edhe në disa vende të botës përfshi SHBA-të.
 
“Jam këtu për popullin iranian që tani po del në rrugët e Iranit. Dua edhe unë të kontribuoj. Ndoshta jemi larg, por zemrat tona janë me Iranin.”, u shpreh një protestues.
 
“Unë jetoj këtu, por e gjithë familja dhe miqtë e mi jetojnë në Iran. Ata nuk kanë absolutisht asnjë liri. Dhe nuk kanë para, inflacioni është jashtëzakonisht i lartë.”, u shpreh një protestues.
 
Organizata për të Drejtat e Njeriut në Iran ka thënë se shtypja e ashpër e protestave në Iran është intensifikuar ndjeshëm dhe se raportet “tregojnë vrasje të përhapura të protestuesve në pjesë të ndryshme të vendit, veçanërisht në Teheran”. Sipas kësaj organizate, me seli në Norvegji, janë konfirmuar të paktën 192 protestues të vdekur që nga nisja e protestave në Iran më 28 dhjetor, nëntë prej të cilëve ishin nën moshën 18-vjeçare. Sipas disa burimeve, numri i të vdekurve është mbi 2.000 thonë nga kjo organizatë. Pakënaqësitë në Iran nisën për shkak të krizës ekonomike, zhvlerësimit të valutës kombëtare dhe krizës së energjisë dhe protestat janë përhapur në shumë qytete iraniane.
 
GYLTENE SINANI