Maqedoni
Rasti “Puç”, pala mbrojtëse aktakuzën e vlerësoi të pabazë; Prokurori: ka dëshmi të mjaftueshme për proces gjyqësor
01.06.2015 18:42
Seanca publike për vlerësimin e aktakuzës për rastin “Puç” ka shpalosur dëshmitë dhe lëshimet që përmban...

Seanca publike për vlerësimin e aktakuzës për rastin “Puç” ka shpalosur dëshmitë dhe lëshimet që përmban ky akt me qëndrime të kundërta nga prokuroria, pala mbrojtëse dhe vetë të akuzuarit.
Pala mbrojtëse aktakuzën e vlerësoi të pabazë dhe me shumë lëshime dhe për këtë shkak kërkoi që e njëjta të kthehet në prokurori.
Sipas avokatit mbrojtës, Filip Medarskit, vepra në aktakuzë, sipas ligjit, nuk paraqet vepër penale dhe nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të.
Sipas tij, akti përmban lëshime serioze. Në aktakuzë thuhet se materialet e mbledhura kanë pasur për qëllim t’i dorëzohen shërbimeve të huaja sekrete, por në asnjë moment nuk është precizuar se për cilin shtet apo shërbim sekret bëhet fjalë dhe si mund të vërtetohet e njëjta.
Nuk mund të akuzohesh për spiunim pa mos e ditur se për kë bëhet spiunimi dhe në këtë rast akuza nuk është adekuate, shtoi Medarski.
Ai më tej tha se në këtë rast bëhet fjalë për informata të klasifikuara dhe jo sekret shtetëror, ndërsa sqaroi se sipas Ligjit për Informata të Klasifikuara, informatat e klasifikuara pas së cilave fshihet vepër penale, tejkalim apo keqpërdorim i pushtetit, atëherë publikimi i të njëjtave nuk paraqet vepër penale.
Sipas mbrojtjes, kërkesa e opozitës për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare është kërkesë politike dhe nuk mund të rrezikojë rendin kushtetues të Maqedonisë, për çka dhe kërkoi nga trupi gjykues të refuzojë aktakuzën.
Mbrojtja kërkoi që dëshmitë e publikuara në youtube dhe më pas në disa media elektronike lidhur me rastin të mos merren parasysh.
Ndërkohë që sipas prokurorisë ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme për fillimin e një procesi gjyqësor për këtë rast dhe kërkoi që trupi gjykues në tërësi të marrë parasysh akuzën e përpiluar nga prokuroria.
I akuzuari i parë, Zoran Verushevski, gjatë paraqitjes së tij tha se nuk njeh rast me përmbajtje të tillë të aktakuzës, e cila sipas përmbajtjes është mjaft ambicioze, por e varfër me dëshmi.
Sa i përket akuzës edhe ndaj bashkëshortes së tij, Verushevski tha se spiunimi nuk mund të jetë biznes familjarë dhe një praktikë e tillë nuk ekziston në asnjë vend në botë.
Ndërkaq i akuzuari, Zoran Zaev, nuk ishte prezent në seancën e sotme. Mbetet të vendoset nëse trupi gjykues do të pranojë aktakuzën apo do të kthejë lëndën në hetim.
FLORIJE KAMBERI
