Maqedoni
KSHZ me rezultate fillestare nga votimi në katër komuna
11.01.2026 22:45
KSHZ sonte i kumtoi rezultatet e para jozyrtare nga zgjedhjet e sotme të përsëritura për kryetarë në katër komuna...

Komiisioni shtetëror zgjehdor (KSHZ) sonte i kumtoi rezultatet e para jozyrtare nga zgjedhjet e sotme të përsëritura për kryetarë në komunat Vrapçisht, Gostivar, Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë, në bazë të të dhënave që arritën përmes sistemit elektronik.
Në komunën e Vrapçishtit, në Listën Zgjedhore janë të regjistruar 27.279 votues dhe votimi është zhvilluar në 39 vendvotime. Deri tani, të dhëna kanë mbërritur nga 38 vendvotime, që përfaqëson 97,44 për qind. Në total kanë votuar 8.622 votues, apo 32,37 për qind. Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Isen Shabani, ka marrë gjithsej 5.355 vota, ndërsa Zulhajrat Demiri nga Grupi i Zgjedhësve ka marrë 3.028 vota, bëri të ditur në konferencë për shtyp zëdhënësja e KSHZ-së, Radica Todorovska Aleksovska.
Në Gostivar, siç informoi Todorovska Aleksovska, votimi është zhvilluar në 121 vendvotime. Dalja në votim ishte 30,34 për qind, përkatësisht kanë votuar 23.637 votues. Kandidati Nevzat Bejta nga Koalicioni VLEN ka marrë gjithsej 7.174 vota, ndërsa kandidati i AKI-së, Valbon Ljimani, ka marrë 14.519 vota.
Në komunën e Mavrovë-Rostushës, numri i përgjithshëm i vendvotimeve është 39, ndërsa në Listën Zgjedhore janë të regjistruar 10.575 votues. Të dhëna në KSHZ kanë mbërritur nga 34 vendvotime, që përfaqëson 87,18 për qind. Në nivel komune kanë votuar gjithsej 2.918 votues, ose 28,51 për qind.
Kandidati Oner Jakupovski nga Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka marrë 1.906 vota, ndërsa kandidati Anes Ahmeti nga Koalicioni i udhëhequr nga LSDM ka marrë 938 vota.
Në Qendër Zhupë, votimi është zhvilluar në 16 vendvotime dhe të dhënat kanë mbërritur nga 100 për qind e vendvotimeve. Në Listën Zgjedhore janë të regjistruar 7.562 votues, ndërsa kanë votuar 1.003 votues, që përfaqëson dalje në votim prej 13,26 për qind. Kandidati i Partisë Demokratike të Turqve në Maqedoni, Arijan Ibraim, ka marrë 973 vota.
Siç bëri të ditur zëdhënësja e KSHZ-së, Radica Todorovska Aleksovska, gjatë ditës së nesërme Komisioni do t’i shpallë rezultatet e para zyrtare, pas pranimit dhe përpunimit të procesverbaleve nga të gjitha vendvotimet.
