Maqedoni
Dy aeroportet shërbyen 3.5 milionë udhëtarë, rritje për 9%, krahasuar me vitin 2024
12.01.2026 14:52
Gjermania, Turqia, Zvicra, Italia dhe Suedia janë pesë destinacionet kryesore me më shumë fluturime direkte nga vendi....

Gjermania, Turqia, Zvicra, Italia dhe Suedia janë pesë destinacionet kryesore me më shumë fluturime direkte nga vendi.
Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti “Shën Apostul Pali” – Ohër, vitin e kaluar kanë shërbyer 3.5 milionë udhëtarë dhe 26.500 fluturime.
“Numri i udhëtarëve të transportuar përmes aeroporteve të Shkupit dhe të Ohrit në vitin 2025 është 3.475.288, që paraqet rritje prej 9 për qind krahasuar me vitin 2024, ndërsa tek fluturimet e shërbyera rritja vjetore është 4 për qind.”, informoi TAV - Maqedoni.
Në dhjetor të vitit 2025, statistika e koncesionierit tregon rritje dyshifrore të përqindjes së udhëtarëve të shërbyer në dy aeroporte prej 25 për qind në krahasim me dhjetorin e vitit 2024, një vit më parë ose përkthyer në shifra 294.781 udhëtarë. Në muajin e fundit të vitit të kaluar, janë realizuar 2.019 fluturime që është për 7 për qind më shumë, krahasuar me dhjetorin e vitit 2024.
Rritje stabile tregon edhe mesatarja ditore e udhëtarëve në vitin 2025.
“Analizat e veçanta për dy aeroportet për periudhën nga janari deri në dhjetor tregojnë se përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit kanë udhëtuar 3.211.419, që është 8.7 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë në vitin 2024, ndërsa Aeroporti i Ohrit “Shën Apostul Pali” regjistroi një rritje dyshifrore prej 20 për qind me 263.869 udhëtarë të shërbyer.”.
Stambolli, në të gjithë 12 muajt e vitit 2025, ishte destinacioni më i frekuentuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit në të dy aeroportet IGA dhe Sabiha Gokçe me pjesëmarrje në treg prej 16.6 për qind. Pas tij vijnë Bazel Milluz, Frankfurti, Cyrihu dhe Munihu – Memingen.
Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit aktualisht fluturojnë gjithsej 15 linja ajrore drejt 49 destinacioneve, ndërsa nga Aeroporti “Shën Apostul Pali” – Ohër, tre linja ajrore fluturojnë në 7 destinacione.
FITORE NAGAVCI
