Maqedoni

Mickoski fton takim liderësh, krerët politikë shqyrtojnë ftesën

12.01.2026 15:10

Mickoski ka theksuar se planifikon të thërrasë takim të liderëve më datë 14 janar në Klubin e Deputetëve në Shkup...

Kryeministri i vendit dhe njëherësh lider i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka theksuar se planifikon të thërrasë takim të liderëve më datë 14 janar në Klubin e Deputetëve në Shkup, në të cilin do të diskutohej shfuqizimi i të ashtuquajturës "qeveri e Përzhinos", ndryshimet në Kodin Zgjedhor për një njësi zgjedhore, zvogëlimin e numrit të deputetëve nga 120 në 90 dhe shumë çështje tjera. Në njoftimin e fundit të Qeverisë thuhet: 
 
"Ju informojmë se ftesa për takimin e liderëve është në proces të dërgimit dhe do t'u dorëzohet të gjitha partive politike që kanë një grup parlamentar në Kuvend.". 
 
Nga partia më e madhe opozitare maqedonase, LSDM, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në një takim të tillë, sepse sipas kryetarit të kësaj partie, Venko Filipçe, ai nuk dëshiron të marrë pjesë në një takim, siç tha, me kriminel. 
 
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë një brifingu me gazetarët, theksoi se kjo çështje u përket liderëve të partive. 
 
“Sa i përket takimit të liderëve, mendoj se është çështje që u përket vet liderëve të partive politike të vendosin se a do të marrin pjesë apo jo, si dhe të dakordojnë edhe pikat e rendit të ditës. Siç po flitet se do të bisedohet çështja e Qeverisë së Përzhinos, unë personalisht dua ta jap opinionin tim, se jam pro largimit të kësaj qeverisjeje teknike.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. 
 
Ndërsa nga BDI njoftuan se vendimin final pritet ta marrë vet lideri i partisë. 
 
“Ftesa ka ardhur për takimin e liderëve dhe ajo është publike, por ajo varet nga vet kryetari dhe Këshilli Qendror, të cilët do të marrin vendim bashkë me kryetarin se a do të jemi pjesë e asaj, por kjo do të jetë pasi të kemi takim në mbledhjen e ardhshme.”,  - theksoi Besnik Rameti nga BDI.
 
Nga partia E Majta njoftuan se do të marrin pjesë në takimin e liderëve dhe se ky subjekt politik mbështet heqjen e Qeverisë teknike, por heqja e saj do të ishte e pranueshme, vetëm nëse shoqërohet me reforma demokratike reale, jo deklarative, dhe futjen e një njësie të vetme zgjedhore.
 
"E Majta do të marrë pjesë në takimin e liderëve, që është paralajmëruar për këtë javë. Si parti parlamentare që është përpjekur të krijojë komunikim me shumicën parlamentare për një vit e gjysmë duke propozuar ligje, përmes konsensusit për disa çështje shtetërore, ne besojmë se tani është koha për të hyrë në një dialog konstruktiv. Për ne, gjëja më e rëndësishme është të krijojmë një atmosferë demokratike gjatë zgjedhjeve dhe kërkesat tona do të shkojnë në atë drejtim.", - u shpreh deputeti i Së Majtës, Amar Mecinoviq.
 
Përndryshe, njohësit e mirë e këtyre çështjeve sugjerojnë që të ketë edhe një diskutim rreth nevojës për të arritur më në fund unitetin në lidhje me kushtet që vijnë nga Sofja dhe Brukseli për integrimin tonë evropian. 
 
FITIM KRYEZIU