Maqedoni
Bie intensiteti i reshjeve, QMK: Gjendja në terren po stabilizohet
12.01.2026 15:15
Dalëngadalë po stabilizohet dhe normalizohet gjendja me përmbytjet në vend...

Dalëngadalë po stabilizohet dhe normalizohet gjendja me përmbytjet në vend, pas reshjeve të shumta që e kanë përfshirë vendin ditëve të fundit. Në rajonin e Pelagonisë, në Manastir, Mogillë dhe Novac, niveli i ujit po tërhiqet gradualisht nga zonat e përmbytura, megjithatë lumi “Cërna” vazhdon të ketë nivel pak më të lartë të ujit dhe një pjesë e tokave bujqësore mbetet ende nën ujë. Në Demir Hisar, për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Boishka, rruga lokale ishte përkohësisht e mbyllur për qarkullim. Përveç lumit “Cërna”, uji i lumenjve në Zhvan dhe Edinakoci është rikthyer në shtratin e tyre. Ekipet e QMK-së dhe ndërmarrjeve komunale kanë intervenuar gjithashtu me makineri për pastrimin e shtratit të lumit Golema. Normalizim të niveleve të ujit sot vërehet edhe në lumin Zajaska në Kërçovë, bëjnë të ditur nga QMK.
“Në Demir Hisar, për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Boishka, rruga lokale drejt fshatit Mrenoga është e mbyllur për qarkullim. Lumenjtë janë kthyer në shtratin e tyre, përveç lumit Cërna në zonën e fshatrave Zhvan dhe Edinakoci, ku ende ka përmbytje dhe janë të përmbytura sipërfaqe të mëdha bujqësore. Në Resnjë, si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme, janë përmbytur sipërfaqe bujqësore, por uji po tërhiqet gradualisht. Gjatë ditës është intervenuar me një makineri ndërtimore për pastrimin e shtratit të lumit Golema. Në rajonin perëndimor, në Kërçovë, nivelet e lumit Zajaska dhe lumit Treska janë ulur dhe nuk ka rrezik nga përmbytje të reja. Po vazhdon pastrimi i shtëpive të përmbytura, dezinfektimi i objekteve dhe krijimi i kushteve minimale për qëndrim. Personat e evakuuar janë të strehuar në sallën sportive "Hristo Uzunov", ku u ofrohet kujdesi i nevojshëm.”, thuhet në komunikatën e QMK-së.
Ndërkohë meteorologët njoftojnë se reshjet e shiut dhe dëborës gradualisht do të stabilizohen deri në fund të kësaj jave, ndërsa në mëngjes dhe mbrëmje pritet të mbizotërojnë temperatura të ulëta dhe të ftohta.
“Sot, temperaturat maksimale do të lëvizin nga - 4 deri në 3 gradë Celsius, me mot kryesisht të qëndrueshëm dhe të ftohtë. Për nesër, priten temperatura të ngjashme me sot, ndoshta deri 2 gradë Celsius më të larta. Gjatë gjithë javës, pritet një rritje e lehtë e temperaturave, ndërsa nuk parashikohen reshje shiu ose bore, që do të thotë se moti do të mbetet i ftohtë dhe i qëndrueshëm.”, - deklaroi meteorologia, Marija Cvetkovska Atanasovska.
Gjatë 24 orëve të fundit, ekipet kanë intervenuar edhe në rajonin e lumit Vardar në Kavadar, si dhe në zonat kodrinore-malore. Në rajonin verilindor, në Rankovac, dhe në rajonin e Pollogut, në Tetovë, përgjatë rrugës Tetovë - Banjicë, më herët kishte rënë një shkëmb i madh në rrugë. Tashmë rruga është pastruar dhe është rikthyer në qarkullim. Po ashtu, janë pastruar edhe mbetjet e një shembjeje të dheut në rrugën Gostivar - Mavrovë. Përfaqësuesit e komunave, ku u regjistruan përmbytjet nga reshjet e fundit, kanë filluar tashmë procesin e vlerësimit dhe kompensimit të dëmeve.
REXHEP QAMILI
