Maqedoni
Kërçovë, filloi pastrimi i shtëpive të përmbytura në lagjen “Prilep”
12.01.2026 15:24
Rreth 30 pjesëtarë të Armatës së RMV-së, sot kanë filluar aksionin për pastrimin e ambienteve shtëpiake...

Me kërkesë të shtabit të emergjencës, rreth 30 pjesëtarë të Armatës së RMV-së, sot kanë filluar aksionin për pastrimin e ambienteve shtëpiake nga gjësendet e dëmtuara si pasojë e vërshimeve që goditën banorët e lagjes “Prilep” në Kërçovë. Shtabi i emergjencës ka bërë të ditur se pas procesit të pastrimit do të bëhet dezinfektimi i ambienteve shtëpiake dhe përgatitja e tyre për rikthimin e familjeve në objektet e veta.
Gjendja e familjeve të prekura nga përmbytjet është e mjerueshme. Ata kërkojnë masa urgjente për sigurimin e kushteve elementare për jetesë dhe zgjidhje përfundimtare të këtij problemi që zvarritet për vite me radhë.
Përveç Kryqit të Kuq, në mbështetje të këtyre familjeve që u sistemuan në sallën sportive të Ivanidollit, ka qenë edhe Lëvizja “Te Berza”. Kryetari i saj, Shkodran Alili, thotë së që nga dita e parë e përmbytjeve, Lëvizja “Te Berza” ka qenë afër familjeve të prekura nga vërshimet. Ai u bën thirrje të gjitha institucioneve e në veçanti Komunës së Kërçovës, që të angazhohen për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, me të cilin banorët e lagjes “Prilep” përballen sa herë që ka reshje të shiut.
Shtabi i emergjencës njofton se nga dita e mërkurë, ekipet e posaçme do të bëjnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet dhe realizimin e procedurave për kompensimin e tyre.
SHABAN DALIPI
