Maqedoni

Zgjedhjet lokale, VLEN: Jemi fitues absolut në 10 komuna

12.01.2026 15:31

Partitë politike dhanë vlerësimet e tyre rreth rezultatit zgjedhor në zgjedhjet e përsëritura në katër komuna më 11 janar...

Partitë politike dhanë vlerësimet e tyre rreth rezultatit zgjedhor në zgjedhjet e përsëritura në katër komuna më 11 janar. Koalicioni VLEN vlerëson se ata janë fitues absolut i këtyre zgjedhjeve, duke fituar gjithsej 10 komuna, e që dëshmon dhe konfirmon fuqishëm besimin e shqiptarëve në VLEN për të bërë ndryshimin.
 
“Përshëndesim përmbylljen zyrtare të procesit zgjedhor lokal, i cili u mbyll dje me zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçisht. Me këtë rast, u urojmë fitoren kandidatëve nga opozita, Valbon Limani dhe Isen Shabani. Këto zgjedhje dëshmuan qartë se shqiptarët folën me një zë. Dhjetë komunat e fituara janë provë e pakontestueshme se VLEN-i është lokomotiva politike e shqiptarëve, forca që udhëheq, bashkon dhe sjell ndryshimin e shumëpritur në nivel lokal.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga VLEN-i.
 
BDI: Ne jemi fitues i zgjedhjeve lokale
 
Por, nga BDI nuk mendojnë kështu. Ata vlerësojnë se fitues i zgjedhjeve lokale është koalicioni i AKI-së, e jo VLEN-i. Sipas tyre, sovrani vendosi për fatin e shqiptarëve dhe shprehen të bindur se, në qoftë se organizohen zgjedhje parlamentare, ky koalicion do të jetë fitues absolut në bllokun shqiptar.
 
“Dita e djeshme është një dëshmi, e cila dëshmon se populli vendos për fatin e shqiptarëve dhe ky koalicion i quajtur AKI ishte fitues edhe më 11 janar edhe me dëshmi me votat të cilat janë tubuar nga vetë populli dhe populli vendosi dhe tregoi dëshmi më të qartë se shqiptarët e unifikuar do të dinë t’i kërkojnë proceset e veta dhe të jenë më të bashkuar në vendimet e veta për të qenë në të ardhmen më të avancuar në institucionet shtetërore të RMV-së.”, - theksoi Besnik Rameti nga BDI.
 
VMRO-DPMNE: Lokalet i humbi LSDM dhe BDI
 
Nga VMRO-DPMNE vlerësojnë se zgjedhjet e përsëritura lokale u zhvilluan në një atmosferë demokratike, paqësore dhe dinjitoze, ku qytetarët në mënyrë të lirë dhe demokratike ushtruan të drejtën e votës, duke u dhënë besim kandidatëve të VMRO-DPMNE-së në 56 komuna. Ata përshëndetën vendimin e banorëve të Komunës së Mavrovës dhe Rostushës, ku kandidati i tyre, Oner Jakuposki, fitoi shumicën e votave, ndërkohë adresuan kritika ndaj LSDM-së dhe BDI-së opozitare.
 
“LSM-ja ka rënë në 140 mijë vota dhe sot është forca e katërt politike në Maqedoni. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së reformave, mungesës së kapaciteteve dhe vizionit, si dhe e krimit dhe korrupsionit nga të cilat nuk distancohen. Ka humbur edhe BDI-ja, një parti që nuk ka sjellë asgjë as për shqiptarët, as për maqedonasit në komunat që ka drejtuar. Në vend të zhvillimit, kanë lënë borxhe, rrugë të shkatërruara, institucione jofunksionale dhe kaos.”, - deklaroi Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE.
 
Socialdemokratët e LSDM-së, të cilët në zgjedhjet lokale fituan 6 komuna, nuk pajtohen me vlerësimin e VMRO-DPMNE-së. Njëkohësisht akuzojnë se ka pasur keqpërdorime të institucioneve.
 
Në bazë të rezultateve preliminare të KShZ-së, në zgjedhjet e përsëritura të 11 janarit, të mbajtura në katër komuna për shkak të mosarritjes së censusit të nevojshëm në rrethin e dytë zgjedhor, kandidatët e AKI-së fituan komunat e Gostivarit dhe Vrapçishtit, VMRO-DPMNE fitoi Komunën e Mavrovës dhe Rostushës, ndërsa Partia e Turqve fitoi Komunën e Qendrës Zhupë.
 
REXHEP QAMILI