7.500 vaksina kundër Hepatitit B, u vaksinuan 2.500 punonjës shëndetësorë

12.01.2026 15:45

Ekosistemi më i rëndësishëm që e mban funksional sistemin shëndetësor...

Ekosistemi më i rëndësishëm që e mban funksional sistemin shëndetësor janë kapacitetet njerëzore, Pa një punonjës shëndetësor të mbrojtur dhe të sigurt nuk ka vazhdimësi të shërbimeve, nuk ka stabilitet në funksionimin e institucioneve dhe nuk ka besim nga qytetarët, tha ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, me rastin e nënshkrimit të një marrëveshjeje donacioni nga Ministria e Shëndetësisë për Institutin e Shëndetit Publik për 7.500 vaksina kundër Hepatitit B, me një vlerë totale prej 123.450 dollarësh amerikanë për punonjësit shëndetësorë.

“Kjo nënkupton obligimin tonë për të siguruar mbrojtje sistematike, që është e parashikueshme, e qasshme dhe e matshme. Pikërisht për këtë arsye, mbrojtja e punonjësve shëndetësorë është vendosur si standard, për të cilin kujdesemi vazhdimisht që ta mirëmbajmë dhe ta përmirësojmë. Në këtë kontekst, sot nënshkruajmë një marrëveshje donacioni nga Ministria e Shëndetësisë për Institutin e Shëndetit Publik (IShP) për 7.500 vaksina kundër Hepatitit B, me një vlerë totale prej 123.450 dollarësh amerikanë. Me këtë donacion, duke administruar tre doza për person, do të përfshihen 2.500 punonjës shëndetësorë. Bëhet fjalë për një masë konkrete parandaluese për uljen e ekspozimit ndaj rreziqeve shëndetësore të të punësuarve në sistemin shëndetësor, duke forcuar njëkohësisht edhe sigurinë e pacientëve.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Është përgatitur një modul elektronik përmes të cilit punonjësit shëndetësorë do të regjistrohen në faqen e internetit të Ministrisë dhe të Institutit gjatë dhjetë ditëve të ardhshme.

Vaksinimi do të realizohet në Institutin e Shëndetit Publik dhe në qendrat e shëndetit publik në të gjithë vendin. Ministria ka dhuruar gjithashtu kuti për transportin e materialeve biologjike në vlerë prej 2.000 dollarësh.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, tha se vaksinat janë të destinuara si për punonjësit shëndetësorë, ashtu edhe për studentët e mjekësisë dhe stomatologjisë. Sa i përket transportit të materialeve biologjike, Andonovska theksoi se po ulen rreziqet gjatë transportit të materialeve biologjike infektive, të cilat dërgohen për testim, trajtim ose ruajtje.

“Për këtë arsye, sigurimi i transportit të sigurt të substancave infektive dhe trajtimi i tyre është në interes të autoriteteve lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim minimizimin e mundësisë së ekspozimit ose lirimit të substancës gjatë transportit.”, - theksoi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska.

Tek ne ekziston i ashtuquajturi rrezik rezidual nga Hepatiti B, veçanërisht te grupet e rritura të pavaksinuara, gjë që e forcon rëndësinë e vaksinimit të hershëm, u theksua me këtë rast. (Fitore Nagavci, TVM2)