Botë

Australi, opozita propozon p/ligj për martesat e homoseksualëve

01.06.2015 20:58

Lideri i opozitës në Australi, Bill Shorten ka propozuar një projektligj, për njohjen e martesës së të njëjtit seks...

Në këtë mënyrë partia e tij laburiste është partia e parë e madhe në vend që mbështet një ligj të tillë.
 
Pengesa më e madhe e këtij projektligji vjen nga partia e kryeministrit Tony Abbott, i cili është një katolik dhe partia e tij është kundër martesës së të njëjtit seks, raporton Associated Press.
 
Në vend të reformës sociale, Abbott është shprehur se qeveria e tij është fokusuar tek ekonomia dhe siguria kombëtare.
 
Pavarësisht sondazheve që tregojnë se pjesa më e madhe e australianëve mbështesin martesat gay, mbrojtësit e të drejtave të homoseksualëve kanë frikë se projektligji do të rrëzohet nga ligjvënësit e maxhorancës.
 
"Ligjet tona duhet të jenë një pasqyrë e reflektimit të vendit tonë bujar dhe të shoqërisë sonë të lirë dhe gjithpërfshirëse", ka thënë Shorten teksa ka mbrojtur projektligjin.
 
Mbrojtësit e të drejtave të homoseksualëve thonë se që nga votimi irlandez, Australia është bërë vendi i fundit anglishtfolës që është kundër martesave homoseksuale.