Maqedoni
Takimi i liderëve, Kasami dhe Qoku do ta përfaqësojnë VLEN-in
13.01.2026 14:39
Të mërkurën është planifikuar të mbahet takimi i liderëve i thirrur nga kryeministri i vendit...

Të mërkurën është planifikuar të mbahet takimi i liderëve i thirrur nga kryeministri i vendit, njëherësh edhe lider i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në të cilin do të diskutohen ligjet reformuese në gjyqësor, zgjedhja e Avokatit të Popullit, Kodi Zgjedhor dhe shfuqizimi i Qeverisë teknike. Përveç këtyre temave, siç njoftoi kryeministri, me sugjerimin e pjesëmarrësve në takim mund të diskutohen edhe çështje të tjera. Pjesëmarrjen e tyre e konfirmuan edhe nga koalicioni VLEN, të cilin do ta përfaqësojë njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami.
“Kemi ftesë nga kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, për takim liderësh dhe VLEN-i ka pranuar të marrë pjesë dhe në takim do të jetë Bilall Kasami, një nga liderët e VLEN-it. Zyrtarisht ftesa nuk ka tema konkrete, është e përgjithshme, pra do të flitet për gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në vend, do të flitet për një dialog të hapur për një konsensus.”, - deklaroi deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku.
Nga VLEN po ashtu theksojnë se ato do të mbeten në qëndrimin për largimin e Qeverisë teknike, që del nga marrëveshja e Përzhinos.
“VLEN-i mendon që koha, kur shteti u detyrua të ketë një Qeveri teknike sipas marrëveshjes së Përzhinos, ishte koha kur vendi ishte në një modus krize, një krizë që u shkaktua nga Qeveria e Mihajllkovit dhe Gruevskit, bashkë me BDI-në e Ali Ahmetit, Musa Xhaferit dhe Blerim Bexhetit. Këto figura dhe kjo krizë aktualisht nuk janë më, pra shteti dhe administrata publike është e aftë dhe në gjendje të organizojë zgjedhje kredibile, të drejta, të rregullta dhe konkurruese, pa pasur të domosdoshme dhe të arsyeshme që të kemi Qeveri teknike, sipas marrëveshjes së Përzhinos.”, - theksoi deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku.
Nga VLEN-i thonë se nëse flitet në takimin e liderëve për zgjedhje të parakohshme parlamentare, VLEN-i është kundër këtij vendimi, ndërsa nëse bisedohet për një njësi zgjedhore, VLEN-i akoma nuk ka një qëndrim të definuar.
FITIM KRYEZIU
