Rajon

Vërshimet në Shqipëri, dhjetëra familje të prekura

13.01.2026 14:47

Çarja e argjinaturës së lumit Seman një ditë më parë ka shkaktuar përmbytje të rënda në njësinë administrative Libofshë në Fier...

Çarja e argjinaturës së lumit Seman një ditë më parë ka shkaktuar përmbytje të rënda në njësinë administrative Libofshë në Fier. Uji ka hyrë në 20 banesa, rrugët janë të pakalueshme. Transporti i banorëve kryhet me varkat dhe gomonet e ushtrisë.
 
Gjatë natës u evakuuan 9 persona, të cilët po qëndrojnë tek të afërmit. Evakuimet vijojnë edhe këtë të martë, ndërsa me lot në sy banorët tregojnë se përmbytja ka ardhur papritur, duke mos u lënë kohë të shpëtojnë bagëtitë.
 
Në zonë kanë mbërritur forcat e ushtrisë, të cilat po operojnë me kamionë, veçanërisht pranë stallave, për të evakuuar jo vetëm çobanët, por edhe delet e lopët.
 
Operacioni i evakuimit po zhvillohet në kushte të vështira, ndërsa prurjet e lumit vijojnë të mbeten të larta. Edhe në fshatin Obot në Shkodër uji ka përmbytur gjithçka. Aktualisht atje kalohet vetëm me varka.
 
Në Durrës situata ka nisur të përmirësohet, megjithatë, uji nuk është hequr nga të gjitha banesat.
 
LULJETA NDOKA