Maqedoni

Kryeparlamentari Gashi zhvilloi takim lamtumirës me ambasadoren Ageler

13.01.2026 14:58

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takim lamtumirës me ambasadoren e ShBA-së, Angela Ageler...

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takim lamtumirës me ambasadoren e ShBA-së, Angela Ageler. Në takim, kryetari Gashi shprehu mirënjohje për përkushtimin e saj personal, qasjen profesionale dhe mbështetjen për proceset demokratike në vend. U theksua veçanërisht roli i saj në forcimin e bashkëpunimit institucional, ndërtimin e besimit dhe avancimin e dialogut me Kuvendin.
 
Kryetari Gashi shprehu mirënjohje edhe për Ambasadën e ShBA-së, për mbështetjen e saj të vazhdueshme dhe të fortë për Republikën e Maqedonisë së Veriut në forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit, stabilitetin dhe orientimin euroatlantik të vendit. Në këtë kontekst, u theksua edhe mirënjohja për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner strategjik dhe aleat. Kryetari Gashi theksoi se kontributi i ambasadores Ageler dhe ShBA-së ka lënë gjurmë të dukshme dhe pozitive në zhvillimin e proceseve demokratike dhe moderne në vend. Ai shprehu gjithashtu besimin se marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimi do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
 
Ageler misionin e saj diplomatik në vend e filloi në vitin 2022. Ajo në dhjetor u gjet në fokusin e opinionin, jo për shkak të fundit protokollar të mandatit, por për shkak të vendimit politik të Uashingtonit. Ambasada amerikane atëherë konfirmoi se ajo është mes diplomatëve që do të tërhiqen, në pakon që mediat e lidhën me vendimin e administratës së Donald Trampit të revokojë pothuajse 30 ambasadorë, pjesa më e madhe diplomatë me karrierë, të emëruar nga administrata paraprake.
 
Ageler është diplomate me karrierë, e cila nuk ishte për herë të parë në Maqedoni. Më parë ajo ka shërbyer si zyrtare për marrëdhënie me opinionin në Ambasadën amerikane në Shkup nga viti 2011 deri në vitin 2014. Pastaj ka punuar edhe si atashe për kulturë dhe shtyp në Ambasadën në Hanoi, Vietnam, zëdhënëse e Byrosë për çështje konsullore pranë Departamentit të shtetit, konsull dhe lidhje me komunitetin amerikan në Ambasadën e ShBA-së në Paris, të Francës dhe zëvendëskonsull dhe zëvendës atashe për shtyp në Nju Delhi, Indi.
 
REXHEP QAMILI