Maqedoni

VLEN-i akuzon AKI-në për votim kundër verifikimit të mandatit të deputetes Emini

13.01.2026 15:28

Beqiri ka akuzuar deputetët e Koalicionit AKI, të kryesuar nga BDI, për votimin kundër verifikimit të mandatit të deputetes së VLEN-it...

Deputetja e Koalicionit VLEN, Kaltrina Beqiri, ka akuzuar deputetët e Koalicionit AKI, të kryesuar nga BDI, për votimin kundër verifikimit të mandatit të deputetes së VLEN-it, Valbona Adili Emini, e cila erdhi në vendin e deputetit Salim Sylejmanit. Sipas VLEN-it, kjo qasje e deputetëve të AKI-së, është një akt i paprecedent, i cili nuk njihet në praktikat parlamentare. 

“Koalicioni AKI, i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, po sillet në mënyrë tërësisht destruktive ndaj çështjeve që janë krejtësisht normale, teknike dhe të rregulluara qartë me procedurë parlamentare. Dua ta theksoj qartë, që në fillim kjo sjellje nuk është dhe nuk ka qenë kurrë praktikë normale parlamentare. Mosvotimi apo votimi kundër verifikimit të një mandati është absurd dhe i rrezikshëm për funksionimin demokratik të shtetit. Pikërisht këtë sjellje e pamë në rastin e deputetes Valbona Adili Emini, e cila erdhi në vend të Salim Sulejmanit. Në të dy rastet, opozita zgjodhi ta politizojë një procedurë teknike, duke krijuar konfuzion të panevojshëm te qytetarët. Kjo qasje destruktive nuk ndalet vetëm te verifikimi i mandateve. Ajo po shtrihet edhe te vendimmarrjet kyçe që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi.”, - u shpreh deputetja e Koalicionit VLEN, Kaltrina Beqiri.