Botë

Tensionet rriten rreth Iranit, Shtëpia e Bardhë: Diplomacia është opsioni i parë

13.01.2026 16:00

Pas 15 ditësh protestash dhe qindra të vrarë e të plagosur, regjimi në Iran pretendon se situata është nën kontroll...

Pas 15 ditësh protestash dhe qindra të vrarë e të plagosur, regjimi në Iran pretendon se situata është nën kontroll. Mediat shtetërore iraniane raportuan se dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Teheranit për të shprehur mbështetje për Qeverinë. Autoritetet amerikane u kanë bërë thirrje qytetarëve të ShBA-së, që të largohen menjëherë nga vendi, për shkak të trazirave të vazhdueshme. Presidenti Tramp ka kërcënuar tashmë se do të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Republikës Islamike, për shkak të shtypjes brutale të protestave. Nga Shtëpia e Bardhë thonë se diplomacia mbetet opsioni i parë, por që nuk hezitojnë të përdorin edhe mjete ushtarake.
 
“Ajo që dëgjohet publikisht nga regjimi iranian është krejtësisht ndryshe nga mesazhet që administrata amerikane merr privatisht. Dhe mendoj se presidenti ka interes t’i shqyrtojë këto mesazhe. Megjithatë, presidenti ka treguar se nuk ka frikë të përdorë opsione ushtarake kur dhe nëse vlerëson se është e nevojshme. Dhe askush nuk e di këtë më mirë se Irani.”, - deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit.
 
Presidenti amerikan konfirmoi se ka marrë një ftesë nga udhëheqësit iranianë për bisedime, por shtoi se Shtetet e Bashkuara mund të jenë të detyruara të veprojnë përpara një takimi të tillë të mundshëm. Në të njëjtën kohë, ai njoftoi rikthimin e sanksioneve të vitit 2015 ndaj vendeve që mbajnë lidhje ekonomike me Teheranin.
 
“Me efekt të menjëhershëm, çdo vend që bashkëpunon me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë një tarifë doganore prej 25% për çdo aktivitet biznesi në Shtetet e Bashkuara. Ky urdhër është përfundimtar.”.
 
Kombet e Bashkuara thonë se retorika rreth Iranit është shqetësuese.
 
“Sekretari i Përgjithshëm ka qenë shumë i qartë për nevojën e përdorimit të një gjuhe të kujdesshme në lidhje me atë që po ndodh realisht në Iran, për represionin dhe vrasjet e civilëve që po shohim, gjë që është alarmante. Njëkohësisht, ai po e ndjek me shqetësim edhe retorikën rreth situatës në Iran dhe i inkurajon të gjithë të ndjekin rrugën e diplomacisë dhe dialogut.”, - theksoi zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stefan Dujariq.
 
Ndërkohë, Izraeli ka ngritur masat e sigurisë dhe gatishmërisë operative në një nivel më të lartë, për shkak të vlerësimeve se Uashingtoni mund të ndërmarrë hapa të drejtpërdrejtë ndaj Iranit. Në Tel Aviv po punohet me skenarë, sipas të cilëve, çdo ndërhyrje amerikane mund të provokojë një reagim iranian, gjë që do t’i zgjerojë rreziqet edhe ndaj Izraelit.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI