Botë
Protesta në Iran, mbi 2.500 të vrarë, Tramp: Masa të ashpra, në rast ekzekutimesh
14.01.2026 11:45
Tramp ka thënë se ShBA-ja do të ndërmarrë “masa shumë të forta” kundër Iranit...

Presidenti amerikan Donald Tramp ka thënë se ShBA-ja do të ndërmarrë “masa shumë të forta” kundër Iranit nëse ai ekzekuton protestuesit. Deklarata e tij vjen pasi grupet e të drejtave të njeriut thanë se më shumë se 2.500 demonstrues antiqeveritarë janë vrarë në një shtypje të dhunshme nga autoritetet iraniane.
Trampi ka deklaruar se planifikonte të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar situatën në Iran, duke u zotuar të merrte “shifra të sakta” mbi numrin e të vdekurve nga protestat.
Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në ShBA ka thënë se deri më tani ka konfirmuar vrasjen e 2.403 protestuesve, si dhe 12 fëmijëve, pavarësisht ndërprerjes së internetit.
Gati 150 persona të lidhur me Qeverinë janë vrarë gjithashtu, ka thënë grupi. Protestat në Iran kanë nisur më 28 dhjetor, si reagim ndaj rënies së monedhës rial dhe inflacionit. Që atëherë, ato janë zgjeruar në shumë qytete duke u shndërruar në mbarëkombëtare.
